
Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale në familje në Kukës, ku policia ka vënë në pranga një person, i cili akuzohet se i ka prerë gishtat gruas me thikë.
Në kuadër të operacionit policor “Ndërhyrja” u vu në pranga 36-vjeçari që i kishte dëmtuar gishtat, me mjet prerës, bashkëshortes së tij dhe e kërcënonte se do të vriste atë dhe të vëllanë e saj, me armë zjarri.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, pasi kanë marrë njoftim se në fshatin Kryemadh, shtetasi Bylbyl Saraçi, kishte konflikt me bashkëshorten e tij, shtetasen L. Saraçi, 35 vjeçe, të cilën e dhunonte dhe e kërcënonte me armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Ndërhyrja”.
Gjatë operacionit, shërbimet e policisë kanë vënë në pranga shtetasin Bylbyl Saraçi, 36 vjeç, i cili pas një konflikti me bashkëshorten, i kishte dëmtuar asaj gishtat e dorës, me mjet thikë dhe e kërcënonte se do të vriste atë dhe të vëllanë e saj, me armë zjarri.
Gjatë kontrollit në banesë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë të mbushur me fishekë dhe një thikë.
Ndaj të dyshuarit materialet i kaluan Prokurorisë së Kukësit, për veprime të mëtejshme.



