
Tre verimet e para të këmbimit valutor në zyrën e shtetasit A.L kanë qenë një skemë e cila prej afro 1 jave duket se jo vetëm është studiuar, por ka qenë e planifikuar.
Kjo kuptohet nga dosja e siguruar nga emisionit FactCheck ku i dëmtuari në rrëfimin e tij thotë:

Çanta që më la të ruaja ishte e vogël dhe kuptova që këtë çante ai e kishte nxjerrë nga çanta e madhe që kishte në dorë. Në këto momente nuk kam vënë re asgjë , ai është larguar , më ka lënë në dorë çantën e vogël duke më thënë që do kthehej të merrte shumën e eurove dhe të më linte kartëmonedhat shqiptare dhe nuk u kthye më kurrë. Duke qenë se po e prisja këtë shtetas nuk e hapa çantën për ta kontrolluar në mirëbesim. Prita sa prita dhe meqë ai nuk u kthye e kam hapur çantën ditën e hënë më datën 03.06.2024 e aty kuptova se isha mashtruar. Vura re direkt që ky shtetas me kishte dhënë disa kartëmonedha të falsifikuara bashkuar me disa letra fletoreje të prera në formën e parave.
Pas kësaj skeme rezulton shtetasi gjeorgjian, Lasha Rogava i cili më herë kishte marrë me qira një automjet në Elbasan pranë biznesit Auto K.
Hetimet dhe verifikimet e TIMS kanë zbuluar se Rogava sapo ka marrë 40 mijë euro në zyrën e këmbimit valutor në Librazhd është larguar menjëherë jashtë Shqipërisë, por jo i vetëm. Së bashku me të ka qenë edhe bashkëpunëtori i tij.
Nga verifikimet e kryera në Pikën e Kalimit Kufitarë Qaf Thanë rezulton se shtetasi Lasha Ragova kishte dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë me datë 01.06.2024, së bashku me një shtetas të huaj me emrin Levan Pertia, i cili ngjason me personin që shoqëronte nëpër bulevardin e qytetit të Librazhdit shtetasin Lasha Ragova.



