
Komisioni Evropian ka hedhur poshtë përfundimisht projektbuxhetin e qeverisë italiane për vitin 2019. Kjo është mësuar në fund të takimit të kolegjit të komisionerëve.
Ekzekutivi i BE gjithashtu ka miratuar raportin e borxhit, duke hapur rrugën për një procedurë për deficitin e shtuar në javët e ardhshme.
Skenari për të ardhmen
Ky është vetëm fillimi. Këshilli për Çështjet Ekonomike dhe Financiare do të votojë për nisjen e procedurës - në mbledhjen e fillimdhjetorit, ose më së shumti në fund të janarit, do t’i kërkohet Italisë ta korrigjojë brenda gjashtë muajve. Ndërkohë, mund t’i kërkohet të paguajë një gjobë: në këtë rast, Italisë do t’i duhet të lërë mënjanë një depozitë pa interes, të barabartë me 0.2% të PBB-së së vitit të kaluar.
Pasi skadon afati i lënë (6 muaj) për të korrigjuar manovrën, Komisioni dhe Këshilli Europian do të vlerësojnë veprimet e ndërmarra, duke pezulluar procedurën ose në rast të kundërt duke e intensifikuar atë, nëse përpjekja e nisur nuk do të konsiderohet e mjaftueshme.
Nëse miratohen masa efektive për të adresuar deficitin e shtuar, por financat publike tashmë do të jenë ndikuar në mënyrë të jashtëzakonshme, BE-ja mund të pranojë një zgjatje të afatit për t'i dhënë më shumë kohë Italisë të korrigjojë llogaritë publike dhe të rishikojë rekomandimet e tij duke reflektuar kështu ndryshimin e skenarit për rrethana të veçanta dhe të motivuara.



