
Një grabitje e ngjashme me atë të Rinasit pak muaj më parë është kryer në aeroportin e Brazilit. Grabitja e armatosur ka përfudnuar pa viktima dhe me rrëmbimin e plot 750 kg ar dhe metale të tjera të çmuara, me një vlerë në total 46 milionë dollarë.
Tetë persona të armatosur, të veshur me uniforma policie, e kanë kryer grabitjen në një depo të aeroportit ndërkombëtar Guarulhos në Sao Paulo, bënë të ditur burimet zyrtare.
Banda e grabitësve ka arritur të marrë mes të tjerash një ngarkesë me lingota ari, të cilat do të dërgoheshin një pjesë në Zyrih dhe pjesa tjetër në Nju-Jork.
Ata kanë hyrë në aeroport me dy mjete karroceri të vogël për ngarkesat, të ngjashme me ato që përdorur policia federale braziliane.
Pas grabitjes, dy makinat u gjetën rreth 20 km larg aeroportit.
Gjatë grabitjes nuk ka pasur të shtëna, por sipas një oficeri policie që ka folur në kushtet e anonimatit, një zyrtar i aeroportit dhe tetë anëtarë të familjes së tij - përfshirë katër të mitur - janë mbajtur peng nga banda për rreth 12 orë.



