Kryedemokrati, Lulzim Basha nga Gjirokastra tha sot se Dita e Evropës, është dita e të gjithë shqiptarëve, por jo e Edi Ramës dhe autokratëve të lidhur me krimin. Ai deklaroi se vendit i duhet një reformë e thellë politike, e cila do t’i japë të gjithë forcën votuesit shqiptar dhe jo krimit të organizuar.
“Sot në ditën e Europës nuk është koha për të bërë përbetime fallco të Edi Ramës, Europa është armiku numër një i autokratëve të lidhur me krimin. Sot Dita e Europës është dita e të gjithë shqiptarëve, por nuk është dita e Edi Ranmës por është makthi i Edi Ramës dhe makthi i hajdutëve që e shoqërojnë atë. Vetëm një transformim i thellë do ta nxjerrë vendin nga kjo krizë. Dua tu them tellallëve dhe haberxhinjve të Edi Ramës, se në këtë betejë nuk jemi futur për karrige, por duam që ky depresion ku e futi Edi Rama vendin, jo thjesht të kapërcehet, por të lihen prapa një herë e mirë dhe ndaj na duhet një reformë e thellë politike, që pas përfundimit të kësaj, që fati i çdo politikani të jetë i lidhur pazgjidhshmërisht nga vota e qytetarëve”-tha Basha.
Lulzim Basha nuk e kurseu gjuhën e ashpër për përfaqësuesen më të lartë të politikës së jashtme të BE-së Federika Mogherini, e cila krah Edi Ramës në Tiranë u shpreh optimiste për hapjen e negociatave.
“ Me Ramën nuk ka zhvillim as përparim, miqtë e tij që vijnë për qokat e fundit para se tu mbarojë mandati se shpëtojnë dot, sepse është Edi Rama problemi kryesor për hapjen e negociatave sepse është i lidhur me krimin. Prej 6 vitesh na mbyllet dera e Europës. Pa lirinë e votës nuk ka asnjë liri tjetër, nuk ka mundësi, nuk ka mirëqenie, nuk ka punësim, nuk ka Europë. Kushdo që thotë të kundërtën gënjen, pak rëndësi ka në çfarë gjuhe e thotë, gënjen”, tha Basha.
Nën thirrjet “Rama ik”, të ftuar nga kryetari i PD-së, Basha, gjirokastritet iu përgjigjën pozitivisht ftesës së tij për të marrë pjesë në protestën kombëtare të 11 Majit.
Që të kemi një Shqipëri si gjithë Europa, Basha tha se ka ardhur koha që qeverinë ta marrë mazhoranca e re morale dhe politike. “Të gjithë bashkë të bëhemi më shumë me 11 maj ditën e shtunë, për Shqipërinë europiane dhe të ëndrrave tuaja.”, u shpreh ai.



