
Kuvendi i Shqipërisë do të mbajë ditën e nesërme një seancë të jashtëzakonshme në lidhje me përplasjet më të fundit mes shumicës dhe Presidentit mbi zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Seanca do të ketë në fokus dekretimin e Presidentit Meta, i cili ditën e djeshme vendosi të çojë në Kushtetuese zonjën Marsida Xhaferllari, në një kohë kur ditën e hënë shumica në parlament u shpreh se Arta Vorpsi automatikisht do të ishte kandidatja e dytë për në gjykatë, pasi Meta nuk ishte shprehur mbi zgjedhjen e dytë të tij .
Pas përfundimit të afatit, Vorpsi e cila kryesonte listën e pikëzuar u shpall gjyqtare e Kushtetueses, por për të nisur detyrën do duhet të betohet para presidentit i cili u shpreh qartë ditën e djeshme se nuk do të organizojë ceremoninë e betimit për të.



