
Duke vizituar Bjellorusinë, ministri kinez i Mbrojtjes Li Shangfu tha se vendi i tij do të rrisë bashkëpunimin ushtarak me fqinjin dhe aleatin e Rusisë.
Kështu raportojnë mediat vendase dhe ndërkombëtare. Li u takua dje në Minsk me presidentin bjellorus Aleksandër Lukashenko dhe pohoi se qëllimi i vizitës së tij ishte pikërisht zbatimi i marrëveshjeve të rëndësishme në nivel të krerëve të shteteve dhe forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ushtarak dypalësh.
I cituar nga agjencia ruse Tass, Lukashenko nga ana e tij siguroi se bashkëpunimi midis Bjellorusisë dhe Kinës në asnjë mënyrë nuk do të drejtohet kundër vendeve të treta.
Asnjëra palë nuk ka dhënë detaje se çfarë do të sjellë një bashkëpunim i tillë ushtarak, por të dy vendet kanë rënë dakord të mbajnë stërvitje të përbashkëta vitin e ardhshëm.



