
Dyqind fëmijë janë vrarë në Ukrainë që kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi trupat e tij të sulmonin vendin në fund të shkurtit, tha zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës në një deklaratë të shtunën.
Zyra shtoi se më shumë se 360 fëmijë janë lënduar gjatë luftës deri më tani. Pesë fëmijë u plagosën dhe dy prej tyre vdiqën,. duke përfshirë një foshnjë 7 muajshe, në një sulm rus në Kharkiv të premten, tha zyra.
Ajo shtoi se një djalë 15-vjeçar u plagos të enjten si rezultat i shpërthimit të një municioni thërrmues në periferi të vendbanimit Novovorontsovka në rajonin Kherson.
Në fillim të kësaj jave, UNICEF tha se gati dy të tretat e fëmijëve ukrainas tani janë të zhvendosur për shkak të konfliktit të vazhdueshëm.
Drejtori i programeve emergjente të UNICEF-it, Manuel Fontaine i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën se ai "rrallëherë kishte parë kaq shumë dëme të shkaktuara në kaq pak kohë" pasi u kthye nga një vizitë në Ukrainë.
Ata janë detyruar të lënë gjithçka pas: shtëpitë e tyre, shkollat e tyre dhe shpesh edhe anëtarët e familjeve të tyre.
Fontaine tha se OKB-ja kishte verifikuar vdekjen e 142 fëmijëve me 229 të plagosur që nga e diela, por se "shifrat e vërteta janë me siguri shumë më të larta duke pasur parasysh shkallën e sulmeve".
Ai gjithashtu tërhoqi vëmendjen për 3.2 milionë fëmijë që vlerësohet se janë ende në shtëpitë e tyre.
“Pothuajse gjysma mund të jetë në rrezik për të mos pasur ushqim të mjaftueshëm”, tha ai.
Sulmet në infrastrukturën e sistemit të ujit dhe ndërprerjet e energjisë kanë lënë rreth 1.4 milionë njerëz pa akses në ujë në Ukrainë. 4.6 milionë të tjerë kanë vetëm akses të kufizuar.
"Situata është edhe më e keqe në qytete si Mariupol dhe Kherson, ku fëmijët dhe familjet e tyre tani kanë kaluar javë të tëra pa ujë të rrjedhshëm dhe shërbime sanitare, furnizim të rregullt me ushqime dhe kujdes mjekësor. Ata janë strehuar në shtëpitë e tyre dhe nën tokë, duke pritur për bombat dhe dhuna të ndalen”.
Ai tha gjithashtu se fëmijët e pashoqëruar në Ukrainë përballen me një "rrezik shumë më të lartë dhune, abuzimi, shfrytëzimi dhe trafikimi" dhe vuri në dukje ndikimet e mbylljes së shkollave në 1.5 milion studentë në arsimin e lartë dhe 5.7 milion fëmijë të moshës shkollore.



