Kryebashkiaku i Vlorës Ermal Dredha duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV tha se brenda 10 ditëve do të hapet landfilli Sherishtës. Ai vuri në dukje se zjarri në fushën e mbetjeve në Vlorë është vënë nën kontroll, ndërsa thotë se ai mund të jetë shkaktuar nga një dorë njeriu.
“E para, nuk ka patur një prezencë të madhe zjarri. Ka patur një zjarr gjatë natës, duke filluar nga ora 09:00, dhe ka patur një reagim nga Ndërmarrja e Shërbimeve në Vlorë, e kanë menaxhuar dhe zjarri është shuar.
Intensiteti i erës ka qenë i fuqishëm, por s’na ka ndalur, s’na ka stepur. Ka patur prezencë tymi më shumë se zjarri. Ka patur edhe lagështirë prezente. Situata është drejt menaxhimit të plotë, janë të gjitha mjetet që po punojnë në terren, dhe them se s’do kemi probleme gjatë ditës.
Zjarri i djeshëm, në vendin ku ka filluar zjarri, s’më duket sikur mund të fillonte nga hiçi, mund të ketë edhe dorë njeriu”.
Duke folur mbi landfillin e Sherishtës, Dredha tha:
“Sot kemi patur një nga inxhinierës së KFV-së për të monitoruar punimet në landfill. Po mbyllim një procedurë për impiantin e trajtimit të ujërave na landfillin e Sherishtës. Jemi 10 ditë para se të hedhim koshin apo makinerisë së plehrave në Sherishtë.
Po respektojmë procedurat siç përcakton ligji. Do shpëtojë Vlora, Orikumi, nga fushat e mbetjeve. Në momentin që vendoset në funksion Sherishta ne do bëjmë një hap përpara si bashki për ta mbuluar një pjesë të mirë të territorit me dhe, do ta bëjë procedurën KFV-ja, që të kapsulohet dhe të bëhet një eco park. Do bëhet si zonë rekreative, green, e gjitha jeshile”.



