Gertjana Hasalla, eksperte punësimi, thotë se dy janë shkaqet që po i detyrojnë të rinjtë dhe profesionistët të largohen nga vendi. Pagesa e pamjaftueshme dhe mungesa e kushteve të punës janë sipas saj arsye për të cilat shumë punonjës të kualifikuar kanë zgjedhur vendet e tjera të BE-së.
Shkaqet kryesore të largimit të punonjësve janë mungesa e pagesës dhe kushteve të punës. Sektorët e shërbimit, turizmi, ndërtimi, fasoneria po shfaqin shqetësim në gjetjen e punëtorëve. Këto biznese kanë nevojë për punëtorë të kualifikuar. U përmend edhe çështja e punonjësve të huaj. Ata mund të vijnë në Shqipëri, por është kosto e shtuar për biznesin të ketë punonjës të huaj që jetojnë në Shqipëri.
Në këtë dekadë të fundit ka pasur largim në rritje të punonjësve të kualifikuar. Janë larguar nga Shqipëria por edhe nga Ballkani. Nuk kanë gjetur punësim të denjë, pra jo vetëm pagesë të mirë, por edhe kushte të mira pune.
Në 3 mujorin e fundit ka pasur rritje të pagesës në disa sektorë. Nga 11-15 %. Kjo po ndodh pikërisht për shkak të largimit të punonjësve. Por duhet të shohim edhe kushtet nëse janë shkak për largimin. Shifrat tregojnë se po rritet pagesa, por vetëm ajo nuk mjafton për të mbajtur punonjësit në Shqipëri.
Hasalla tha se ka nevojë për nxitje reale të punësimit.
Në Tiranë ka mbi 20 agjenci punësimi që mund të krijojnë bashkëpunime me bizneset. Ka nevojë për kualifikim të punonjësve. Agjencitë bëjnë lidhjen mes punëkërkuesit dhe punëdhënësit. Ato duhet të sigurojnë që punonjësit të shkojnë atje ku paguhen dhe kanë kushte të mira pune.
Sipas saj, informaliteti është ende pengesë e madhe në Shqipëri.
Informaliteti është ende realitet në Shqipëri. Punëtorët ende paguhen nën dorë për punë që bëjnë gjatë ditës së tyre. Ne duhet të jemi të kujdesshëm kur flasim për punonjës sezonalë. Ne kemi bërë disa studime. Një pjesë e punonjësve thonë se e marrin një ditë pushim, një pjesë nuk e merr as atë. Madje nuk kompensohet dita e pushimit me më shumë para. Ne duhet të nxisim politika punësimi që u sigurojnë të rinjve një punë të denjë.



