Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar nëpërmjet rrjeteve sociale takimin e tij me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, ku ndër të tjera është diskutuar edhe për çështjen e mbetur në ngërç midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Bullgarët kanë vendosur veton ndaj hapjes së negociatave të maqedonasve me Bashkimin Evropian, duke krijuar kështu edhe një pengesë për Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt unionit.
Kjo, për shkak se rruga shqiptare për në BE, shihet e bashkërenduar me atë maqedonase.
“Mëngjes pune me presidentin Rumen Radev, mbi marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe nevojën për dialog mes palëve për zgjidhjen e ngërçit kritik mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”, shkruan Rama.
Kryeministri e konfirmon se ky ngërç, e pengon direkt edhe thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri-BE.



