
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kanë miratuar Deklaratën për të Zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë.
Në takimin mes palëve në Bruksel, kjo ishte pika e parë e rendit të ditës.
Takimi pritet të vijojë me diskutimet për draftin e statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Para takimit, kryeministri i Kosovës, Kurti bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Një ditë më herët, ai foli edhe me këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili tha se SHBA-të presin për një takim konstruktiv mes Kurtit dhe Vuçiqit, si dhe për përparim në bisedime, sidomos për çështjen e Asociacionit.



