
Hakerët rusë kanë qenë brenda gjigantit të telekomunikacionit të Ukrainës, Kyivstar, për muaj të tërë vitin e kaluar.
Pas sulmit të 12 dhjetorit operatori doli jashtë linje duke prekur 24 milionë përdorues për ditë të tëra.
Shefi kibernetik për Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës, Illia Vitiuk foli ekskluzivisht për Reuters, ku ai zbuloi detaje të reja nga hetimi mbi atë që konsiderohet si hakimi më dramatik që prej sulmit në shkallë të plotë të Rusisë në Ukrainë.
“Ky sulm është një mesazh i madh, i madh, një paralajmërim i madh, jo vetëm për Ukrainën, por për të gjithë botën perëndimore që të kuptojë se askush nuk është në të vërtetë i paprekshëm. Kyivstar në fakt është një kompani private, është një kompani e madhe, një kompani e pasur. Dhe ata investojnë shumë në sigurinë kibernetike", tha ai.
Gjatë hetimit, SBU zbuloi se hakerat u përpoqën të depërtonin në Kyivstar në mars ose më herët.
“Mund të themi me siguri se ata (hakerët) ishin në sistem të paktën që nga maji i vitit 2023. Nuk mund të them për momentin se në cilën orë e kishin këtë akses të plotë: ndoshta të paktën që nga nëntori", thuhet më tej në intervistë.



