Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa kujtoi protestën e organizuar nga studentët e Kosovës 19 vjet më parë, më 1 tetor 1997.
Në një postim në faqen zyrtare të kryeministrit në Facebook, thuhet se kjo protestë gjithëpopullore, e organizuar dhe e udhëhequr nga studentët e pedagogët universitarë, dëshmoi në esencë vendosmërinë e paepur të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci.
“Protesta e 1 tetorit 1997, është një prej ngjarjeve shumë të rëndësishme në historinë e rezistencës së popullit të Kosovës ndaj regjimit të Millosheviçit.
Studentët, profesorët dhe qytetarët e Kosovës nuk i ndali as dhuna e shfrenuar e regjimit kriminal për të demonstruar aspiratat e tyre dhe për t’i realizuar ato, më pas. Sot, Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, falë sakrificës dhe përkushtimit të të gjitha shtresave të shoqërisë kosovare, rezistencës paqësore dhe luftës çlirimtare, me përkrahje të pazëvendësueshme të SHBA-ve dhe vendeve tjera demokratike evropiane dhe më gjerë”, shkruan Mustafa.



