
Izraeli thuhet se është përgjegjës për sabotimin e dy tubacioneve kryesore në rrjetin e gazit të Iranit.
Kështu raporton “New York Times”, duke cituar burime anonime perëndimore dhe iraniane.
Të mërkurën mbrëma, më 14 shkurt, dy tubacione gazi vendimtare për furnizimin e Republikës Islamike u goditën nga shpërthime masive, duke ndërprerë rrjedhat e gazit.
Këto tubacione lidhin fushat e mëdha të gazit në Iranin jugor me qendrat dhe rajonet kryesore të konsumit në Iranin qendror dhe verior, duke përfshirë kryeqytetin Teheran.
Irani ka rezervat e dyta më të mëdha të gazit në botë, duke zënë 17 për qind të rezervave globale. Rezervat iraniane të gazit janë të dytat pas atyre të Rusisë.
Mbi 40.000 kilometra tubacione kalojnë Iranin dhe i shërbejnë industrisë dhe popullsisë së vendit gjatë muajve të ftohtë të dimrit. Teherani i ka atribuuar incidentet që kanë ndodhur njëkohësisht qindra kilometra larg “diversantëve”.
Megjithatë, operacioni i përgjithshëm sugjeron një nivel të lartë koordinimi dhe inteligjence, veçanërisht në një vend shumë të militarizuar si Irani.
Sulmi sugjeron se diversantët synonin të shkaktonin dëmin maksimal të mundshëm në ekonominë iraniane duke ndërprerë rrjedhat e gazit për popullsinë gjatë muajve më të ftohtë të vitit, me gjasë duke synuar të nxisin pakënaqësinë popullore.
Teherani, nga ana e tij, minimizoi pasojat e sulmeve dhe qeveria tha se shërbimet u rivendosën shpejt, megjithëse kishte disa raporte për ndërprerje të gazit në të paktën pesë provinca në Iran. Sipas Francesco Sassi, studiues në kompaninë “Ricerche Industriali ed Energetiche” (Rie), ngjarja shënon një përshkallëzim shumë të rrezikshëm në gjeopolitikën e Lindjes së Mesme.
“Përfshirja e forcave izraelite në sabotimin e infrastrukturës së gazit të Iranit është në vetvete një risi në luftën në hije midis dy vendeve. Irani ndoshta nuk do të jetë në gjendje të eksportojë gaz në Turqi. Sabotimi i infrastrukturës kritike është një hap i qartë drejt një flakërimi rajonal”, shkroi Sassi në X.



