
Më tepër sesa një konsensus mes dy palëve, zgjatja e afateve të vettingut erdhi si presion i ambasadës amerikane dhe zyrës së BE-së në Tiranë. Lidhur me këto zhvillime në studion e lajmeve në MCN TV ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo u shpreh se ndërhyrja e ndërkombëtarëve ka qenë gjithmonë vendimtare për vendin tonë.
Ai tha se ‘pro’ e PD-së zyrtare për afatet e vetingut vjen edhe si rezultat i situatës delikate në të cilën ndodhet, pasi sipas tij nuk ka kohë dhe mundësi për të humbur mbështetjen e të huajve. Milo tha se është gjë e mirë që PD ka shprehur mbështetjen, por shton më tej se nuk dimë se cili është pazari që bëhet në prapaskenë, nga çfarë parimesh është ndërtuar.
Intervista e plotë
1.Zoti Milo, vijojmë të ecim në shinat e një agjende që vjen nga selitë diplomatike dhe ku na çon kjo?
Ne nuk është se kemi bërë përjashtim dhe për vendime të tjera të ndërmarra pas ‘90. Ajo çka po ndodh sot në kuvendin e shqipërisë nuk përbën përjashtim nga ky rregull i vendosur në politikën shqiptare. Zërat e BE dhe SHBA gjithmonë kanë qenë vendimtarë të cilët këmbëngulin për ndryshime për zgjatjen e afateve të vetingut për reformën në drejtësi. Kështu që nuk duhet të çuditemi dhe gjuha e liderit të PD ka ndryshuar, kjo jo vetëm se ka ndërhyrje të fuqishme të faktorit ndërkombëtar por dhe për një arsye tjetër se PD zyrtare është në një pozitë delikate që s’ka kohë dhe mundësi të humbasë më tej mbështetjen e ndërkombëtarëve që aktualisht e ka. Mirë kanë bërë që po e mbështesin sepse tashmë ndërkombëtarët nuk është se janë kundër interesave të Shqipërisë dhe reformës në drejtësi. Në fund të fundit reforma ka bërë progres, është një ecje graduale e avashtë por që shënon progres dhe si e tillë këto ndryshime kushtetuese është e nevojshme të bëhen. Por ne nuk dimë cili është pazari që bëhet në prapaskenë, por kjo varen në çfarë parimesh është ndërtuar. Zgjedhjet tona vuajnë sepse reforma zgjedhore nuk bëhet në bazën ë parimeve por bëhet në interes të dy partive të mëdha. Kështu ka për të vazhduar. Ka një pakt dhe është Pazar. Marrëveshja ndodh kur puqen interesat. Dhe mesa duket kjo marrëveshje e arritur sot që Basha të mbështesë zgjatjen e vetingut është këmbyer me këmbënguljen për komisionet nga ana tjetër.
2. Ky votim i sotëm, implikon a mund të implikojë edhe hetimin parlamentar për inceneratorët sepse është edhe një nga kërkesat e ambasadorëve, të luftohet korrupsioni?
Nuk e di sa lidhje mund të ketë zgjatja e mandatit të institucionit të vetingut me inceneratorët. Kjo i takon si çështje SPAKut dhe do të eci nëse ka ndershmëri profesionale. Nëse institucionet që janë krijuar do të jenë nën influencën e politikës atëherë dhe kjo çështje si shumë të tjera do të minimizohet. LSI dhe PD kanë qeverisur bashkë dhe ja dinë hallet njeri-tjetrit dhe unë s’mund të përcjell fakte që si di.
3.Z. Milo, jemi në pritje të vendimit të Kushtetueses për shkarkimin ose jo të Ilir Metës. Cili besoni ju se do jetë vendimi dhe çfarë skenarësh mund të hapë?
Sigurisht që është një pyetje e vështirë pa rënë në spekulim sepse si qytetar dhe jo si politikan ajo që po ndodh në Shqipëri është një turpërim i Shqipërisë, një përkeqësim i imazhit jashtë sepse vihen në diskutim themelet e shtetit pa dashur të mbrojë njeri, sigurisht që ka fakte, ka një numër deklaratash që nga pikëpamja etike, morale mund të jenë të dënueshme, por problemi është sa preket ai neni i famshëm i kushtetutës për shkelje të rëndë të saj. Këtu janë juristët, kushtetuesja që do vendosë unë nuk marrë dot përsipër të bëj fajtor dhe përgjegjës presidentit, ligjore se morale ka sa të duash. Por s’mund të flas sepse do bëhesha pjesë e koreve politike të njëanshme.
4. Le të flasim pak për vizitën e pritshme të zotit Rama në Nju Jork dhe nisjen e mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Çfarë duhet të presim, është lajmëruar një takim I zotit Rama me Sekretarin Bliniken?
Me sa kam dëgjuar ka dy ngjarje, çështje e para takimi me Blinken që mendoj se është dhe më e rëndësishme ku do diskutohet një numër problemesh dhe kriza në Ukrainë dhe përqendrimi i trupave ruse në kufirin me Ukrainën. Takimin do e dominojë më shumë qëndrimet e shqiptarëve me SHBA dhe koordinimi i përpjekjeve të Shqipërisë me SHBA në plane të ndryshme në rajon, edhe në këshillin e sigurimit.



