
Në ditën e pavarësisë së Kosovës, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dorëzoi dy leje qëndrimi biometrike 5-vjeçare të rinovueshme pa afat, për dy të rinj nga Kosova që punojnë në Tiranë.
Dy kartat e para iu dorëzuan Aritës dhe Kushtrimit, dy të rinj nga Kosova që punojnë në Tiranë.
Për marrjen e një karte të tillë, procedura e aplikimit është online, tërësisht e lehtësuar dhe pa dokumente.
“Kam kënaqësinë të jap dy kartat e para të Lejeve të Qëndrimit të dy shqiptarëve shtetas të Kosovës. Leje Qëndrimi 5- vjeçare që aplikohet për herë të parë në Shqipëri në bazë të ligjit të ri që kemi bërë për të lehtësuar pikërisht këtë proces edhe në bazë të marrëveshjes që bëmë me qeverinë e Kosovës, e cila gjithashtu ka filluar të aplikojë të njëjtin regjim përsa i takon dhënies së lejes së qëndrimit për shqiptarët e Shqipërisë në Kosovë. Kam kënaqësinë sot t’i jap Aritës dhe Kushtrimit kartat biometrike, identike përsa i takon cilësive që kanë ID shqiptare, me të gjitha të dhënat personale të pasqyruara në të dy çipet e kartës”, u shpreh ministri Çuçi.
Lejet e qëndrimit biometrike janë gjithashtu edhe leje pune pa qenë nevoja që shqiptarët e Kosovës të marrin një dokument të dytë. Ministri Çuçi solli rastin e Arita Berishës, vajzës nga Kosova e cila në përfundim të studimeve është punësuar në Tiranë në një kompani IT. Te dokumenti biometrik që ajo sapo kishte marrë është gjithashtu e përfshirë edhe leja e punës.
Më parë Shqipëria lëshonte leje qëndrimi në format A4 pa elementë sigurie dhe që duhej rinovuar çdo vit.
Lëshimi i lejeve të qëndrimit biometrike për shqiptarët e Shqipërisë ka nisur edhe në Kosovë. Të dy qeveritë nënshkruan marrëveshjen në mbledhjen e përbashkët të 26 nëntorit që u mbajt në Elbasan.



