Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përsëritur edhe njëherë idenë e ngritjes së një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për të hetuar raportin e Dick Marty-t. Balla tha se një komision i tillë do të qartësojë rolin e Shqipërisë në raport me akuzat e Marty-t, por do të hedhë dritë edhe mbi rolin e Lulzim Bashës në këtë histori.
“Basha ka qenë ekspert i përbaltjes së luftës së Kosovës. Nuk ka nevojë për lajme hidhëruese, por për solidaritet në respektimin e masave anti-Covid. Po hartojmë një dokument që do mund të ngrejë një komision të posaçëm që ka të bëjë me një akt aspak shtetar të qeverisë së vitit 2012 që në raportin e Dick Marty thuhej se në Shqipëri kishte një Shtëpi të Verdhë që dihet kush ka qenë. Pas raportit të Dick Marty-t ka pasur një investigim që nuk ka ndodhur asgjë në Shqipëri rreth asaj që është thënë. Kuvendi i Shqipërisë do qartësojë dhe do hedhë poshtë të gjitha akuzat e raportit të Dick Marty. Lulzim Basha të qartësojë rolin e tij në këtë histori. Në Kosovë ka patur genocid serb. Kundër luftëtarëve të Kosovës janë ngritur palo akuza”, ka thënë Balla.



