
Fabrika “INCA” në pronësi të Alban Zusit e cila ndodhet në lagjen “Skënderbej” në Lezhë dhe që trajton dhe përpunon mbetje shtazore, ka që në vitin 2019 në punë prej nga çlirohet një erë aq e rëndë sa e ka bërë jetën e banorëve gati të pamundur.
Emisioni “Fol” në MCN TV u ndal me banorët e kësaj zone të cilët thonë se iu është vështirësuar jeta, iu janë shtuar sëmundjet kancerogjene dhe se njerëzit nuk iu shkojnë as për dasma dhe as për mort nga aroma e padurueshme.
Ata paralajmërojnë se nëse shteti nuk merr masa do e kthejnë zgjidhjen me Kanun.
Njëri nga banorët shpjegon se fabrika bën tharjen e kockave shtazore dhe se në momentet që është në punë nuk jetohet, pasi era është e padurueshme.
Nuk dalim dot në oborr dhe kur hap derën dhe futesh brenda, bëhet shumë keq. Rrobat që i nderim jashtë kur i veshim, kanë aromën e kësaj.
Janë mbi 300 shtëpi rreth e qark fabrikës, nuk reagon as bashkia, as prefektura, as qarku.
Pesë vite këtu nuk ka ardhur askush, kemi bërë disa protesta, policia na ka ndjekur me hu dhe na ka futur brenda, policia nuk mbron popullin, mbron pushtetarët.
Jemi takuar me qindra herë me pronarin, na është bërë joshje, me vende pune, me para, vetëm që mos të bëjmë zë.
Në këtë fabrikë 4 vetë punojnë. Pronari është paditur në verën e vitit 2020. Ka marrë një leje mjedisore të përkohshme 6 mujore për provë.
U kërkua që të vihen filtra. Nuk ka bërë dëgjesa publike, ka marrë ca firma false. Përfaqësuesi i pushtetit vendor nuk na ka pritur asnjëherë, kryetari i bashkisë.
Miqtë e vetë që i janë ankuar që të vijë në pushtet, iu ka thënë mos më pyesni për atë punë, vetëm për atë punë nuk kam çfarë të bëj.
Ne nuk kemi punë brenda mureve, të bëj çfarë të dojë brenda mureve. Sot që po flasim tani të gjitha janë fikur, i vjen era vendit se është qelbëzuar vendi.
Ne e kemi kaluar çështjen gjyqësore, kemi paditur në Gjykatë Administrative dhe Gjykatën Penale.
Ka ardhur prokurori pas tre vitesh e gjysmë për të mbyllur çështjen dhe tha se nuk ka vepër penale. Prokurori ka bërë zero hetim në terren.
Çështja ka dy vjet është në Apel. Ndërsa në Gjykatë Administrative, ka pasur një vit protesta avokatësh, atë ditë nuk u informuam nga avokati, nuk shkoi avokati, as ne, atë ditë u mbyll çështja.
Edhe këtë çështje e kemi çuar në Apel. Këtu nuk jetohet prej erës, është bërë zonë e pabanueshme dhe dy tre lokale që kanë qenë janë mbyllur, kanë ikur njerëzit jashtë shtetit.
Nuk po kërkojmë as rrugë, as drita, edhe pse jemi si në Mesjetë nga infrastruktura, ne po kërkojmë të marrim frymë. Edhe në burg të jetë njeriu ajrin e ka të pastër.
Kur është montuar kjo fabrikë, inxhinieri italian që e ka montuar i ka thënë çfarë po bën, kjo fabrikë nuk konceptohet të jetë në zonë të banuar.
Kryeministrit i kemi shkruar në e-Albasnia, kemi shkuar dhe te ministria e Mjedisit.
E kanë marrë për gjashtë muaj lejen, bëmë protesta, i ka ndjekur njerëzit me forma të ndryshme presioni, me polici.
Edhe vetë ish-prefekti na ka thënë protestoni.
Lëvizën një radhë kur u bë një përplasje, e mbyllën dy javë, IKMT i vuri 10 milionë lekë gjobë, e shfuqizuan në gjykatë.
Një tjetër banor thotë se Alban Zusi është i ardhur në Lezhë dhe se është nip aty, si dhe kujton se si fabrika që sot posedohet prej tij ka qenë agro-ushqimore dhe bëheshin llokume dhe aranxhata.
Ky zotëria e ka nisur gabim, ka 16 vjet që e ka hapur fabrikën e zorrëve nuk i kemi shkuar kurrë, punon krejt mirë.
Ka nja 5 vjet që ka hapur një gjë të tillë. Merr kocka, bagëti të ngordhura, mori 250 ton pula të groposura në Durrës i ka zhgroposur dhe i ka përpunuar këtu, të gjitha në mushkëritë tonë përfundojnë.
Ka njerëz me sëmundje kanceroze. Kur shkojmë për tu vizituar na thonë a është fabrika e Albanit hapur atje? Nga ajo e ke.
Një herë të thithësh tymin 24 orë e ndjen në trup. Kur na vdesin njerëzit i themi drejtorit të policisë thuaj të fikë fabrikën një orë që të vijnë të pinë kafe në shtëpi.
Nuk është fabrikë me filtra, është fabrikë e nxjerrë jashtë përdorimit. Kur e solli italiani tha ia futa një shqiptare. Europa e ka nxjerrë jashtë përdorimit.
Alban Zusin e kam pasur shok klase, jo t’iu bëj këtë lezhianëve të tij. Duam të rrojmë në trojet tona. Ky sfidon shtetin!
Ne jemi hallexhinj, nuk mund të ikim prej Albanit. Do mbrojmë familjen tonë, ti po më merr frymë.
Nëse ka shtet të bëj diçka, ndryshe dimë dhe rregullat kanunore, i çojë nja 10 vetë, ta dimë shtëpinë.
Ne dimë dhe Kanunin, i bëjmë thirrje shtetit mos na fut në konflikte.
Kemi dasma, vdekje, nuk na vjen njeri në shtëpi.
“Ne nuk kemi të bëjmë me një Alban Zusi, me një lezhjan, por kemi të bëjmë me një Hitler të vogël që po na helmon. Alban Zusi të pezullojë punimet e fabrikës. Duhet një komision, por komisioni nuk duhet të jetë më palën e Albanit që iu jep dreka darka dhe ndonjë lekë. Dyshoj se u jep lekë ekspertëve të ministrisë. Kur shkarkon shkon era deri në qendër të Lezhës. Nga shkarkimi, lumi nuk ka më gjallesa. Në këtë pjesë të lumit deri në det nuk ka peshk”, thotë një tjetër banor.
Denoncimi i një qytetari tjetër thotë se Zusi e ka marrë tokën kur ka qenë kryetar bashkie Agron Dibra.
Dibra kryetar bashkie, çun teze me Alban Zusin, i cili ka qenë sekretar bashkie. Se si janë bërë dokumentet e dinë ata dy.
Hapi fabrikë ku ka qenë konserva e peshkut, fabrikë zorrësh. Kemi vjellë kur hymë brenda.
Që të gjithë fëmijët e vegjël me pasoja në organizëm, kjo është kanceroze. Le ne të vjetrit... Fëmijët e vegjël i ke me sëmundje. Ke 86 të sëmurë me kancer.
Të gjithë e kemi blerë me lekë këtë tokë. Këtë pisllëk Zusi e ka bërë kur ishte zëvendësministër i Mjdesit.
Bledi Çuçi i ka kopsitur letrat aq bukur. Ky zv.ministër, Bledi Çuçi ministër Bujqësie. Nuk është pa hile as ai, mos është pronari i madh.
Kur vijnë ekspertët për matje, fiket fabrika. Kur nisi shkarkimet fabrika, doli peshku i ngordhur mbi sipërfaqe.
Mbetjet shtazore bëhen koncentrate për mace dhe qen dhe nxirret jashtë shtetit.
Fëmija ikën nga shtëpia dhe ikin se thonë nuk rrimë dot nga era e rëndë.
Më pyesin nipër e mbesa a ka ikur era e keqe, kanë tre vjet pa ardhur vetëm se nuk ndjejnë dot erën e keqe.
As për mort nuk na vjen njeri nga era e keqe. Në verë kur është 40 gradë nuk hapim dot derë e dritare për ajrosje.
Po harrove dritaret hapur tre ditë nuk hyhet në shtëpi, pasi vjellim. Po na degradohet çdo gjë.
Po rrezikojmë të ikim me qira të lëmë shtëpinë e re. Po erdhi Rama të jetojë këtu ia falim zonën.
Ndërsa njëra nga aktivistet lezhjane thotë se hapi i radhës është protesta para ministrisë së Mjedisit.
I kemi dërguar një email me të gjitha provat që kemi gjetur. Alban Zusi ka gënjyer duke thënë se fabrika se është vendosur në zonë industriale dhe nuk ka asnjë shtëpi ngjitur.
Zona është e banuar dhe jo industriale. Vihet në pikëpyetje gjithë leja e mjedisit.
Kemi bërë analizat e ujit te tubi i shkarkimit dhe çdo gjë del mbi normat ligjore.
Dyshimi i arsyeshëm që kemi është se këtu bëhet djegie dhe nëse vërtetohet që bëhet djegie, këtu jemi jashtë lejes mjedisore.
Tymi i bardhë në gri që del dhe shpërndahet në gjithë qytetin me erën e rëndë, mendohet se del nga një proces djegie.
Po nuk reaguan institucionet do e përshkallëzojmë protestën me bllokimin e punës së fabrikës. E kemi dhe peticionin me firma.



