
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi sot në detyrë Altin Dumanin, prokuror pranë Prokurorisë së Apelit Tiranë dhe kandidat për SPAK.
Trupa gjykuese e përbërë nga Firdes Shuli, Etleda Çiftja, Roland Ilia, pas analizimit të fakteve dhe provave arriti në përfundim se prokurori Altin Dumani, përmbush kriterin e ligjshmërisë së pasurisë dhe kriterin etik dhe profesional.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi një ditë më parë një seancë dëgjimore me Altin Dumanin, prokuror pranë Prokurorisë së Apelit Tiranë, i renditur si i pari në listën e KLP-së për SPAK.
Në seancën e 30 korrikut, Dumani u dëgjua nga trupa gjykuese e përbërë nga Firdes Shuli, Etleda Çiftja, Roland Ilia.
Gjatë seancës dëgjimore, relatori i çështjes bëri publik raportin për Dumanin, nga ku rezultonte se prokurori dhe bashkëshortja e tij kishin në pronësi dy apartamente në Tiranë ku njëri ishte pranë ish-stadiumit “Dinamo” dhe tjetri në Yzberisht dhe një ambient 28 metra katrorë zyrë pranë Kopshtit Botanik.
Sipas KPK-së, burimi i krijimit të kësaj pasurie ishin të ardhurat si dhe fitimet nga dhënia me qira të apartamenteve dhe zyrës, për të cilat tha se i ka paguar taksat në zyrën e Tatimeve.
Vetë Dumani kërkoi konfirmimin e detyrë, ndërsa i pranishëm në seancë ishte edhe vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs, i cili nuk ka bërë pyetje për Dumanin.
“Kam marrë pjesë në 25 çështje dhe kjo është hera e parë që s’kam asnjë pyetje. Zoti Dumani qenka me fat”, u shpreh Jacobs.
Vendimi për konfirmimin në detyrë për Dumanin, u dha sot, duke e konfirmuar në detyrë.



