
Ministri belg i Emigracionit, Theo Francken, thotë se Europa duhet të ndjekë shembullin e Australisë për emigracionin. Ministri i të djathtës shprehet se duhen pranuar vetëm ata që kërkojnë azil nëpërmjet Kombeve të Bashkuara.
“Nuk ka asnjë port të sigurt të Afrikën e Veriut? Ata që vijnë në Europë duhet të konsiderohen si njerëz që e kanë humbur të drejtën për azil”, tha në një intervistë Francken, i cili drejton partinë e djathtë, New Flemish Alliance.
Sipas Francken, Europa duhet të pranojë vetëm ata azilkërkues që operojnë përmes kampeve të OKB-së në zonat e konflikteve dhe të kthehen mbrapsht ata që mbërrijnë me anije.
“Emigracioni i paligjshëm duhet të marrë fund. Përveç 15% që mbështesin hapjen e kufijve, mbështetja e pjesës tjetër të popullsisë po shkrin si dëbora në diell. Nuk është se janë racistë, thjesht mendojnë në mënyrë racionale”, tha ai.
Francken shihet nga sondazhet si një nga politikanët më popullorë në Vendet e Ulëta. Ai ishte një ndër ministrat e parë të Europës që shprehën mbështetje këtë javë për vendimin e ministrit të Brendshëm italian, Matteo Salvini, për të mbyllur portet e vendit dhe për të kthyer mbrapsht një anije me më shumë se 600 emigrantë.
"Nëse askush nuk dëshiron t’i marrë emigrantët, ne do të duhet të ngremë një kamp refugjatësh në Afrikën e Veriut," i tha ai gazetës italiane “Il Giornale”.



