
Shqiptarët mendojnë se situata ekonomike në vend është përkeqësuar, ndërsa faktor direkt për këtë është rritja e çmimeve dhe papunësia. Përkundër asaj çka transmeton qeveria apo INSTAT, sondazhi i fundit i Bashkimit Europian raporton për përkeqësim të ekonomisë, sipas pyetësorit të fundit të realizuar në pranverë. Konkretisht, në Eurobarometrin e këtij viti është rritur përqindja e atyre që mendojnë se situata ekonomike është keq.
49% e të anketuarve shqiptarë në Eurobarometrin e pranverës 2018 thanë se situata ekonomike është e mirë, 5 pikë përqindje më pak se në vjeshtë 2017. Në të kundërt, përqindja e atyre që mendojnë se situata është keq është rritur me 5 pikë përqindje në 51%.
Sondazhi i Bashkimit Europian krahason gjetjet, edhe me perceptimin e shtetasve europianë, ku dukshëm në vendin tonë ka pasiguri më të madhe në disa drejtime, siguri, ekonomi, shëndet, kushte pune dhe standard jetese. Megjithatë, shqiptarët duket se janë optimistë për të ardhmen, gjysma e të cilëve flasin për përmirësim të gjendjes ekonomike, ndërsa i besojnë përfshirjes në BE, nisur nga mosbesimi që ata kanë te qeveria shqiptare.



