
Presidenti Ilir Meta ka dekretuar Artur Kalanë si gjyqtarë në Gjykatën e Lartë. Me emërimin e Kalasë nga presidenti Meta Gjykata e Lartë bëhet me 8 anëtarë.
Meta, ka firmosur sot dekretin për emërimin e anëtarit më të ri në Gjykatën së Lartë, i cili është përzgjedhur për t`u emëruar përmes procedurave të ngritjes në detyrë nga radhët e gjyqësorit.
Presidenti Meta, pasi shqyrtoi vendimmarrjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimin e përcjell nga ky organ, së bashku me praktikën dokumentare të ngritjes në detyrë për në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur për kandidim, që prej datës 26.2.2020, në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pika 11 dhe 13 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ka pranuar propozimin e KLGJ-së dhe sot përmes Dekretit nr. 13173, datë 26.7.2021, ka vendosur që: Zoti Artur KALAJA të emërohet gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Me këtë emërim të ri, Gjykata e Lartë, nga sot bëhet me 8 (tetë) gjyqtarë, nga 19 anëtarë, që duhet të ketë, sipas vendimmarrjes së KLGJ-së.



