
Ministria e Brendshme e Rusisë shpall në kërkim Kristo Grozev, gazetarin kryesor të grupit të gazetarisë investigative me burim të hapur Bellingcat, në listën e publikuar të hënën e 26 dhjetorit.
Në përputhje me listat e mëparshme të të kërkuarve, ministria nuk specifikoi se për cilën vepër penale dyshohej Grozev.
Grozev, 50 vjeç, ka qenë prej kohësh një “gjemb në këmbë’ për Kremlinin, pasi ka luajtur role kyçe në një sërë investigimesh, duke përfshirë atë të helmimit të agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në vitin 2018 në qytetin britanik Salisbury, dhe helmimi në vitin 2020 të kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny gjatë një fluturimi në Siberi.
Nuk e kam idenë se për çfarë arsye më ka vënë Kremlini në listën e të kërkuarve, kështu që nuk mund të jap asnjë koment për momentin.
Në një farë mënyre nuk ka rëndësi, prej vitesh ata e kanë bërë të qartë se janë të frikësuar nga puna jonë dhe nuk do të ndaleshin para asgjëje për ta larguar atë.
Kështu shkroi Grozev në Twitter menjëherë pas njoftimit të Ministrisë së Brendshme.
Në korrik, Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) pretendoi se Grozev ishte përfshirë në një “komplot të dështuar” për të rrëmbyer avionët luftarakë rusë, megjithëse nuk njoftoi nëse kishte ngritur padi penale kundër gazetarit.
Grozev mohoi akuzat e agjencisë në korrik dhe akuzoi agjencinë e brendshme të inteligjencës ruse për falsifikim të provave për të mbështetur pretendimet e saj, si dhe zbulimin e padashur të identitetit të disa prej agjentëve të saj në hetimin e komplotit të supozuar të rrëmbimit.
Grozev iu bashkua faqes online të investigimit, Bellingcat në vitin 2015 si reporter investigativ dhe fitoi famë për përdorimin e suksesshëm të burimeve të hapura për investigimet e tij.
Grozev ishte autor i investigimeve që identifikuan dy oficerë të lartë rusë në lidhje me rrëzimin e fluturimit 17 të Malaysia Airlines në 2014; Oficerët e GRU të përfshirë në komplotin e grushtit të shtetit të vitit 2016 në Mal të Zi; tre të dyshuarit për helmimin me Novichov të Sergei dhe Yulia Skripal në vitin 2018 dhe helmimin e Navalny.
Në vitin 2019, Grozev dhe ekipi i tij fituan Çmimin Europian për Raportimin Hulumtues të Shtypit për zbulimin e të dyshuarve në helmimin në Salisbury, pasi identifikuan autorët e helmimit të Sergei dhe Yulia Skripal.
Ish-ministri bullgar i mbrojtjes Bojko Noev u bëri thirrje autoriteteve bullgare “të bëjnë gjithçka të nevojshme kundër arbitraritetit të Kremlinit, i cili shpalli një kërcënim të hapur ndaj gazetarit bullgar Hristo Grozev”.
Sipas tij, duhet kërkuar solidariteti i plotë i aleatëve në mbrojtje të Kristos.



