
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit në “Air Albania” të mjekëve të parë që kanë nisur vaksinimin me dozën e tretë, apo dozën “booster”.
Kemi filluar menjëherë me grupet që janë më të rrezikuara, që janë mjekët, infermierët dhe sot në të gjithë qendrat shëndetësore aty ku mjekët, infermierët punojnë, por edhe gjithashtu në strukturat tona të vaksinimit të përqendruar tashmë ka filluar vaksinimi me dozën e tretë booster për personelin mjekësor. Nga ana tjetër paralelisht ka filluar vaksinimi me dozën booster për të gjithë ata qytetarë të grupmoshës +60 vjeç dhe sigurisht për +18 vjeç me problematika shëndetësore”, tha Manastirliu.
Duke ritheksuar se është ulur grupmosha për vaksinim në 16 vjeç dhe për fëmijët +12 vjeç me problematika të sistemit imunitar, Manastirliu tha se do të vijojë furnizimi me vaksina për të garantuar vaksinimin e qytetarë gjatë këtij viti por edhe vitin tjetër.
Aplikimi i dozës së tretë ‘booster’ do të bëhet për stafet mjekësore, për personat që jetojnë në institucione të kujdesit afatgjatë, për të gjithë personat mbi 60 vjeç me sëmundje kronike. Doza booster duhet të ofrohet jo më parë se 6 muaj pas përfundimit të vaksinimit me dozën e dytë.



