Publikimi i materialeve të dyshuara të sigurisë nga Drejtoria e Burgjeve nga grupi “Homeland Justice” ka ngritur alarmin për cenueshmërinë e sistemeve të drejtësisë në vend.
Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, në MCN Live e konsideron situatën serioze dhe bën thirrje për masa të menjëhershme në nivel kombëtar.
Softa theksoi se Shqipëria mbetet një nga vendet më të ekspozuara ndaj sulmeve kibernetike, sidomos në kontekstin e përplasjes së mëparshme dixhitale me Iranin.
Vijmë nga një eksperiencë e goditjes dixhitale nga Irani, që përkeqësoi marrëdhëniet mes dy vendeve. Shqipëria, si aleate e SHBA dhe duke e konsideruar Iranin sponsor të terrorizmit, është shumë më e ekspozuar ndaj sulmeve të mundshme”.
Sipas tij, edhe paralajmërimet e ambasadës amerikane për rrezikun e sulmeve nga grupe iraniane duhet të merren seriozisht, pasi bëhet fjalë për kërcënime reale dhe të vazhdueshme.
Softa ngriti shqetësimin se një ndërhyrje në sistemet e drejtësisë mund të ketë pasoja të rënda, sidomos për shkak të natyrës sensitive të të dhënave.
Ky është një alarm që lidhet me databaza sensitive. Nëse preken sistemet e burgjeve, dëmet mund të jenë të parikuperueshme, nga gjurmët e të burgosurve, te sistemet e transferimit dhe besueshmëria e institucioneve.
Ai paralajmëron se ndërhyrjet e mundshme mund të çojnë edhe në manipulim të provave, duke e bërë situatën edhe më të rrezikshme për sistemin e drejtësisë.
Eksperti i sigurisë kërkon koordinim të menjëhershëm institucional dhe rritje të nivelit të mbrojtjes.
Presidenti duhet të thërrasë Këshillin e Sigurisë. Ky zinxhir sigurie duhet të jetë në harmonizim për të parandaluar ngjarje të rënda.
Ai shton se nuk duhet nënvlerësuar asnjë sinjal paralajmërues, ndërsa thekson se avancimi i Shqipërisë në sistemet online kërkon paralelisht rritje të standardeve të mbrojtjes.
Softa nënvizon se Shqipëria përballet me një ekspozim të shtuar edhe për shkak të faktorëve gjeopolitikë, përfshirë praninë e opozitës iraniane në vend dhe mbështetjen ndaj saj.
Kjo e bën Shqipërinë një objektiv të mundshëm, jo vetëm për sulme kibernetike, por edhe për kërcënime të tjera. Çdo paralajmërim duhet marrë seriozisht, pavarësisht perceptimeve.
Në përfundim, eksperti thekson se situata po bëhet gjithnjë e më komplekse dhe kërkon reagim të koordinuar, për të shmangur pasoja që mund të cenojnë sigurinë kombëtare dhe integritetin e institucioneve të drejtësisë.



