
Një fëmijë 11 vjeç ka rënë në kontakt me rrymën në kabinën elektrike të një pallati në Tiranë, në rrugën “Irfan Tomini”, duke e zënë korrenti. Gazetari i MCN Tv, Besmir Pula raporton se fëmija ka dëmtuar tre gishta të njërës dorë dhe një pjesë të krahut. Ai tha se fëmija ka qenë duke luajtur me top, aty ka rënë në kontakt me energjinë elektrike teksa rendte pas topit, pasi kabina ishte e hapur. Bëhet fjalë për një pallat ekzistues vendi ku ka ndodhur ngjarja, ndërkohë që në zonën në fjalë gjithë blloku i pallateve ndodhet në një situatë të ngjashme. Një banor i zonës i indinjuar shprehu mallkime për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj: “Mos e bëftë pikën e hajrit, mos u gdhifsh nesër, të vraftë mallkimi i tironsave”. Një tjetër banor i zonës deklaroi se kabinat janë të tilla prej vitesh dhe se kanë qenë banorët që i kanë vendosur një kompesatë. “Mbrëmë erdhën ata të OSHEE pas ngjarjes. Na thanë tani e kemi marrë ne në dorë, do vijnë shumë shpejt. Këto kabina janë të hapura fusin duart fëmijët, siç futin fëmijët atje. Erdhën të OSHEE, policia, na thanë se do ndërhyjnë dhe këtej. E panë, e fotografuan dhe thanë do vijnë”. Kabinat e pallateve ekzistuese, përfshi dhe atë ku ndodhi ngjarja janë në administrim nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ndërsa në pallatet e reja janë në menaxhim nga administratori.



