Edvin Prençe, kryetar i Shoqatës “Pro Export Albania” deklaroi përmes një lidhje “Skype” me studion e emisionit “MCN Economy” se në sektorin e fasonëve ka një mungesë prej 20 mijë punonjësesh.
Duke folur për krizën e bizneseve, Prençe tha se të gjitha palët duhet të ulen në tryezë, fillimisht për të ndaluar largimin e njerëzve dhe së dyti për të ndërtuar politika për afrimin e njerëzve të rinj, të cilët mund të jenë dhe njerëzit që marrin ndihmë sociale, por që janë të aftë për të punuar.
Prençi thotë se sektori i fasonëve ja filluar prurjen e punonjëseve nga Filipinet dhe Nepali.
Situata është jo normale, po llogarisim që sektori ka nevojë për 20 mijë vende pune. Nuk arrijmë të kuptojmë, duhet bashkërendim, të gjitha palët të ulen në tryezë dhe të mbajmë njerëzit që kemi dhe të shohim opsionet për afrimin e punonjësve të rinj në sektorin tonë. Afrimi i njerëzve të rinj, kemi mbi 60 mijë njerëz që përfitojnë ndihmë nga ana e shtetit dhe qeveritë lokale, në momentin që këta njerëz kanë mundësi të punojnë nuk mund të bëhen barrë e taksave. I bën mirë dhe biznesit pasi është prurje e re. Nëse nuk arrihet kjo, bizneset po orientohen drejt sigurimit të punonjëseve nga vendet e treta. Sektori jonë ka filluar prurjen nga Filipinet dhe Nepali. Po flasim për punonjëse të sektorit femër. Nuk kemi pasur problematike të largimeve për vendet e tjera. Çdo sektor ka lëvizje.
Vetëm nga luhatja e kursit të këmbimit bizneset e sektorit tonë kanë pasur humbje 1 milion e gjysmë euro në dhjetor. Kjo është një nga mungesat e para. Faktor tjetër, janë rritja e kostove, nga energjia, nafta. Nuk ka stabilitet dhe tek taksat. Duke qenë sektor që ka kontrata 1 dhe 2 vjeçare nuk mund t'i thuash partnerëve të rishohim kontratat se vendi im më ka rritur naftën, energjinë. Këto çojnë në fitim të munguar dhe mungesë të likuiditetit.
Më tej, Prençe tha se pagat në sektorin fason janë rritur deri në 25%, por kjo gje nuk ka ardhur falë rritjes së produktivitetit.
Sipas Prençes shteti duhet të ndërhyjë me një paketë manifakturë.
Kjo rritje e pagës minimale përthith dhe taksa të tjera. Kemi kërkuar të rishikohen taksimet mbi bazën e rrogave, nuk presim që ky likuiditet t’i jepet bizneseve por punonjësve, duke ulur taksat apo duke incentivuar bizneset. Rritje të pagave ka pasur deri në 25%. Kjo nuk ka ardhur falë rritjes së produktivitetit, por në sajë të nevojës për të mbajtur punonjësit, apo për të thithur për punonjësit e rinj. Mesatarja e sektorit ka arritur në 35 mijë lekë.
Kërkojmë ndërhyrjen e qeverisë me një paketë manifakturë. Grantet janë fjalë e madhe, por të ekzistojë mundësia e kredive të vogla, kemi kërkuar incentivimin për blerjen e makinerive të reja.



