Imazhi më i detajuar 3D i koronavirusit që është bërë ndonjëherë, në nivel atomesh individuale, është arritur në Arabunë Saudite. Imazhi tregon strukturën e jashtme dhe të brendshme, duke zbuluar detaje që deri më tani ka qenë e pamundur për t'i parë, të cilat mund të ndihmojnë në kërkimet e barnave për të luftuar virusin.
“Zbërthimi” i virusit në këtë nivel është bërë nga Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë King Abdullah (Kaust) në Arabinë Saudite dhe rezultatet janë botuar në revistën IEEE Transactions on Visualization and Computer Graphics.
"Modeli ynë 3D tregon strukturën e Sars-CoV-2 në nivelin e atomeve", thotë Ondrej Strnad nga Kaust. Ndër detajet e zbuluara nga imazhi 3D është struktura e proteinës që mbron ARN-në e virusit, e cila është e ngjashme me një litar. "Qasja që përdorëm për të zhvilluar modelin - shton ai - mund të drejtojë kërkimin drejt terapive të reja dhe premtuese për të luftuar përhapjen e Covid-19".
Studiuesit shpresojnë që duke zbuluar detaje të panjohura deri më tani të virusit, mund të gjenden shënjestra të reja që mund të përshpejtojnë zbulimin e barnave për të trajtuar sëmundjen. Për të krijuar modelin, studiuesit morën imazhe me rezolucion të lartë të virusit nga skanimi i mikroskopëve elektronikë.
Këto mjete zbulojnë pamjen specifike të sipërfaqes virale, duke treguar proteinat që gjenden në sipërfaqen e saj, siç është proteina spike që lidhet me receptorin ACE2 të qelizave njerëzore. Ky informacion u kombinua me të dhëna për proteinat që gjenden në strukturën e brendshme të virusit, të marra nga bazat e të dhënave ekzistuese. Modeli, vërejnë studiuesit, mund të azhurnohet lehtë kur të dhënat e reja bëhen të disponueshme. / Corriere.it /



