Kreu i PBDNJ Vangjel Dule reagoi përmes një prononcimi për mediat, pas vendimi të Gjykatës së Durrësit, që shpalli moskompetencë për kërkesën e Fredi Belerit për një leje të posaçme për t’u betuar, duke ia kaluar çështjen Gjykatës së Lartë.
Dule theksoi se s’ka asnjë ligj që e ndalon Belerin të marrë detyrën përveç arbitraritetit. Dule e konsideroi edhe një herë Belerin një të burgosur politik të Ramës, në shërbim të interesave okulte të kryeministrit në bashkinë e Himarës.
Juve e shikoni se topi hidhet në shkallët e stadiumit, në vend që të luhet loja juridike me norma dhe me rregulla, kompetenca e moskompetencës. Do t’u thoja të gjithëve, t’i hedhin një sy edhe Konventës kuadër për të Drejtat e Njeriut, neni 6 pika 2 që flet për prezumimin e pafajësisë të çdo qytetari që s’ka një dënim të formës së prerë. Një qytetar që prezumohet i pafajshëm, që është i zgjedhur nga komuniteti i Himarës për të qenë kryetari i bashkisë së tyre, me çfarë ligji pengohet që të shoqërohet minimalisht që të marrë detyrën, duke nisur nga kryerja e betimit. S’ka asnjë ligj që e mban larg betimit dhe marrjes së detyrës, përveç arbitraritetit. Është një çështje kryekëput politika, z.Beleri vazhdon të mbetet një i burgosur politik personalisht i z.Rama, në shërbim të interesave të tij okulte në bashkinë e Himarës, që lidhen me pronën, me respektimin e identitetit dhe të shumë elementeve të tjera, të cilat s’ka vullnet politik për t’u përmbajtur”.
Kujtojmë që i pranishëm në seancën e sotme, përveç Vangjel Dules, ishte edhe ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Konstantina Kamitsi.



