
Ushtari rus, Vadim Shishimarin, 21 vjeç, i akuzuar për krime lufte në gjyqin e parë që u hap në një gjykatë në Kiev që nga fillimi i pushtimit të Moskës, u deklarua fajtor.
I pyetur në gjykatë nëse ishte fajtor për akuzat, përfshirë krimet e luftës dhe vrasjen me paramendim, rreshteri u përgjigj "po".
Vadim Shysimarin, rreshter 21-vjeçar në një divizion rus tankesh, akuzohet për vrasjen e një civili 62-vjeçar të paarmatosur, që sipas ligjit ndërkombëtar konsiderohet krim lufte.
Rasti shënon një moment vendimtar pasi është hera e parë që një ushtar rus akuzohet për krime lufte që nga fillimi i pushtimit në shkurt.
Për akuzën në fjalë, ligji parashikon burgim të përjetshëm.
Sipas akuzës, rreshteri rus, i cili kishte luftuar me divizionin e tankeve Kantemirovskaya në veri-lindje të Ukrainës, vrau civilin më 28 shkurt në fshatin Chupakhivka.
Ai akuzohet se ka qëlluar në kokë njeriun e paarmatosur nga dritarja e makinës, pasi u urdhërua "të vriste civilin që të mos i raportonte te mbrojtësit ukrainas", thonë prokurorët.
I moshuari po lëvizte me biçikletë dhe po fliste në telefon kur u qëllua, vetëm “dhjetëra metra” nga shtëpia e tij.
Ai është qëlluar me pushkë AK-47.



