
Në Shqipëri, informaliteti është i lartë. Pavarësisht se institucione të ndryshme e vlerësojnë në nivele të ndryshme, gati gjysma e ekonomisë është informale. Në studion e MCN Economy, gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, tha se lufta kundër informalitetit bëhet emergjencë në kushtet e emigracionit dhe plakjes së popullsisë.
Kemi Bankën Botërore dhe INSTAT që e vlerësojnë në 30-35% informalitetin. Por kemi edhe vlerësime të tjera që e çojnë në 50%. CIA që në librin e fakteve bën edhe vlerësimet ekonomike të shumë vendeve thotë se informaliteti në Shqipëri është 50% e GDP.
Qeveria dhe agjencitë tatimore kanë detyrimin që bizneseve t’u krijojnë kushtet që deklarimi të jetë një proces sa më demokratik. Pra që të bësh evazion duhet të kushtojë më shtrenjtë se pagesa e taksave. 770 miliardë lekë qarkullon jashtë sistemit bankar. Pra, 23 lekë në 100. Pse qarkullon gjithë ky kesh? Informaliteti është një faktor kryesor. Qeveria duhet ta luftojë informalitetin sepse vendi po përballet me emigracionin, plakjen e popullsisë.
Lidhur me amnistinë fiskale, Tomorri tha se ajo do të legalizojë paratë e pista, ndryshe nga ajo që pretendon qeveria.
Po bëhet një amnisti që ashtu si është ndërtuar, vetëm emigrantët nuk kanë lidhje. Mund të formalizojë paratë që vijnë nga aktivitete të jashtëligjshme. Kemi shumë sinjale për penetrim të parave që vijnë nga trafiqet. Kemi epideminë e kullave në kryeqytet dhe ndërtimeve në bregdet. Evazioni tatimor është një problem shqetësues, por në raport me këtë të dytën është shumë më pak. Problemi është gjithmonë kjo e dyta.
Sipas Tomorrit, kostot e informalitetit, do t’i shohim më vonë.
Ku ka informalitet, disa biznese konkurrojnë në mënyrë të pandershme. Duke pasur një ekonomi informale do të kemi probleme sociale më vonë, kur këta të punësuar të shkojnë në moshën e pensionit dhe nuk do të kenë çfarë të marrin. Ka një shkallë informaliteti që ekspertët e vlerësojnë që duhet të jetë në ekonomi, sepse përfitimet sociale që ato sjellin janë më të mëdha se taksat që humbin. Në finale duhet të them që informaliteti është fenomen i dëmshëm me pasoja negative ekonomike dhe sociale.
Sektori i ndërtimit është konsideruar si streha e parave të pista. Sipas Tomorrit, kjo bën të mundur penetrimin e mafias deri në vendimmarrjen e një shteti.
Pastrimi ndodh kur ndërtohet kulla. Problem tjetër serioz janë mësymja e këtyre kompanive që zotërohen nga persona me background problematik. E kemi parë në procesin e rindërtimit. Kemi parë kompani që marrin tendera publikë, por që vetë kanë background problematik. Këto para kapin politikën dhe diktojnë vendimmarrjen publike në favorin e tyre, çka e bën një vend totalisht të pashpresë. Ti pastaj shndërrohesh në një narkoshtet, ku trafikantët dhe mafia i kanë si kukulla në xhep qeveritarët.



