Duke folur në ditën e 51 të protestës së opozitës nga “çadra e lirisë”, kreu i PD-së, Lulzim Basha hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ofendoi rëndë kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba.
Kreu i opozitës Basha i është përgjigjur kryeministrit Rama për propozimin e tij të fundit se është gati ti japë opozitës KQZ-së.
“Populli është i bashkuar. Demokratë dhe socialistë në mjerimin e tyre, i ke bashkuar ti. Të paralajmëroj të mos i frysh zjarrit të përçarjes së shqiptarëve duke i hedhur kundër njeri tjetrit. Hiq dorë nga kërcënimi ndaj opozitës dhe kauzës së shqiptarëve të bashkuar. Luftë siç e përmende zotrore, përplasje civile për të mbrojtur karrigen dhe prapanicën tënde të korruptuar, kurrë nuk do të ketë në Shqipëri. Po e kërkon me qiri konfliktin mes shqiptarëve, por ata skanë konflikt me njeri tjetrin”, theksoi Basha.
Sipas kreut të opozitës, nuk ka dhe sdo ketë asnjë zgjidhje tjetër përveç largimit të kryeministrit. Basha në fjalën e tij ofendoi edhe kreun e KQZ-së Denar Biba.
"Ju jap KQZ-në thotë. Po çfarë duhet KQZ-ja kur ti ke krimin, kur ke drogën, kur ke një polici që e ka shndërruar në repart ushtarak të krimit. Kjo KQZ është kukull me këtë kryetar idiot që u thotë shqiptarëve që tani që po afron afati i regjistrimit, unë e shtyj edhe 19 ditë. O Denar Biba je kryetar i KQZ-së, jo Papa i Vatikanit, o idiot. Regjistrimi skadon nesër, opozita nuk regjistrohet për zgjedhje fasadë”, tha Basha.



