
Ish-prokurori i Krimeve të Rënda, avokat Besnik Muçi, për ngjarjen e ndodhur në kampin e Manzës ku strehohen muxhahedinët iranianë dhe ku ditën e sotme pati përplasje me policinë, e cilësoi si situatë të agravuar gjatë kryerjes së detyrës proceduriale të strukturave shtetërore. Duke folur nga studio e MCN Live, Muçi deklaroi se duhet të ketë vendim të GJKKO për kontroll brenda kampit dhe në zbatim të këtij vendimi Policia Gjyqësore dhe institucione të tjera të policisë kanë shkuar për të kryer veprime hetimore dhe duhet të ketë pasur të dhëna dhe informacione se nga kjo zonë mund të jenë përdorur pajisje për kryerjen e sulmit kibernetike në Shqipëri. “Fakti që ka pasur situata të tilla, tregojnë se duhet të ketë patur rezistencë. Janë hetime normale nga SPAK në bashkëpunim me institucione specifike. Hetime të tilla kanë pasoja jo thjesht për Shqipërinë por dhe për aleatët tanë. Duke qenë se ka vendim gjykate për kontroll nuk lë vend për diskutim. Duhet sqaruar statusi i këtyre personave në territorin e Shqipërisë. Nuk di të ketë ndonjë dokument që këta persona të jenë të mbrojtur nga hetimi në territorin e Shqipërisë. Ata trajtohen si çdo pjesë e Republikës së Shqipërisë dhe si çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë. Ata i nënshtrohen legjislacionit shqiptar. Duket që ka eskalim të situatës, nëse ka viktima dhe dalje të situatës së kontrollit nga policia.” Muçi shtoi se kur gjykata ka dhënë vendim për kryerjen e kontrollit i ka marrë parasysh konsideratat e agjencive të huaja, se po kryhet një kontroll në një vend me situata specifike. Sipas tij kur ndërthuren interesa penale dhe politike, situata bëhet më komplekse. “Edhe brenda këtij kampi relativisht të madh, mund të ketë natyra që kanë kundërshtuar veprimin hetimor të policisë dhe SPAK. Duhet saktësuar se cila ka qenë natyra e kontrollit. Mund të ketë dhe servera të qeverisë në mërgim në kamp. Mund të jetë dhe një eskalim i situatës që në veprime të tilla të policisë mund të ndodhin.” Për muxhahedinët e strehuar në vendin tonë, ai specifikoi se nëse kanë kryer vepër penale ata duhet të arrestohen dhe të vuajnë veprën penale në vendin tonë, nëse provohet akuza nga SPAK.



