
Data 1 prill njihet në shumë vende si Dita e Gënjeshtrave. Por çfarë është kjo ditë dhe nga e ka prejardhjen?
Dikur, 1 prilli festohej si dita e Vitit të Ri.
Megjithatë, me ndryshimin e kalendarit nga ai Julian në atë Gregorian në vitin 1582, nga Papa Gregori XIII, Viti i Ri u vendos më 1 janar. Disa njerëz vazhduan ta festonin më 1 prill dhe për këtë arsye të tjerët filluan të talleshin me ta, duke i quajtur “budallenj të prillit”.
Sipas një shpjegimi tjetër, të dhënë nga profesori Joseph Boskin, kjo ditë lidhet me periudhën e sundimit të Kostandinit. Sipas tij, një shakaxhi i quajtur Kugel i tha perandorit se mund ta drejtonte më mirë perandorinë.
Kostandini e mori me humor këtë deklaratë dhe e lejoi Kugel-in të bëhej “perandor” për një ditë, më 1 prill. Kugeli e shpalli këtë ditë si Ditën e Gënjeshtrave.
Megjithatë, ky version rezultoi të ishte vetë një shaka.
Në vitin 1983, kur kjo histori u publikua nga Associated Press, më vonë u zbulua se Boskin e kishte trilluar për 1 prillin. Agjencisë iu desh të kërkonte falje për keqinformimin.
Sot, 1 prilli festohet në shumë vende të Evropës dhe botës si Dita e Gënjeshtrave, ku njerëzit bëjnë rrengje dhe shaka me njëri-tjetrin.



