Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-kryekomisarin Stilian Pasho, me detyrë shef i sektorit të kufirit pranë DVKM Korçë
Shefi i kufirit të Korçës do të qëndrojë në qeli në vijim të hetimeve ndaj tij, pasi akuzohet se më 27 nëntor ka lejuar trafikimin e 26 kilogramë kanabis sativa drejt Greqisë.
Pas ndalimit ai u përjashtua dy ditë më parë nga radhët e Policisë së Shtetit.
Duke folur për mediat pas seancës së sotme, avokati i Pashos, deklaroi se dyshimet nuk janë të mbështetura në prova.
Nevzat Tarelli, avokati i tij është shprehur se Stiljan Pasho, nuk ka qenë në dijeni se automjeti me të cilin ka udhëtuar rastësisht nga Korça drejt pikës së kalimit kufitar të Kapshticës të ketë patur lëndë narkotike, ndaj e për këtë avokati i ka kërkuar gjykatës ndryshimin e masës së sigurisë.
Jo çdo veprim në kundërshtim me ligjin, rregulloren apo udhëzimet mund të çoj në veprën penale të trafikimit, sepse ai mund të jetë një veprim i pakujdesshëm, një veprim në tejkalim të kompetencave, një veprim për të krijuar një procedurë të lehtësuar doganore, por që të ekzistojë trafikimi duhet që subjekti duhet të kishte dojeni për lëndën narkotike, gjë që nuk më rezulton nga asnjë e dhënë.
Aq më tepër që nuk ka pasur asnjë njohje asnjë komunikim, të dhënë të tillë që mund ta ngrejë dyshimin në këtë nivel.
Jo vetëm që ka mohuar dijeninë për ekzistencën e lëndës narkotike, por në gjendje emotive e mohon dhe nuk e pranon dot pozitën në të cilën ndodhet. Pasi nuk e ka menduar kurrë diçka të tillë.
Ka sqaruar pozitën e tij, ka shkuar në doganë me atë mjet për shkak të udhëtimit, mjet i rastësishëm dhe pikërisht në këto rrethana, i ka krijuar një farë privilegji subjektit, për të mos qëndruar gjatë në radhë.
Kaq është dijenia e tij, nuk është dijenia për lëndë narkotike. Pra dyshimin prokuroria në rast se e bën hipotetik dhe niset nga fakti që këta subjekte të proceduar kanë kaluar edhe herë të tjera në Greqi.
Por ky është një dyshim hipotetik, ku praktikat gjyqësore nuk mund të ngrihet dyshim.



