
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka,thotë se për shkak të përmbytjeve, situata paraqitet më e vështirë në Fushë Krujë, Vorë dhe Kamëz. Xhaçka tha se deri tani, në të gjithë vendin janë evakuuar 60 familje, 218 janë përmbytur në të gjithë vendin, ndërsa në gatishmëri janë 3 mijë efektivë në gatishmëri, 500 janë angazhuar.
Xhaçka tha se dy kryebashkiakët e Kamzës dhe Vorës nuk i janë përgjigjur apelit për të bashkëpunuar me strukturat e qeverisjes qendrore.
“Situata është në zhvillim, por janë 57-60 familje në rang vendi. Situata është shqetësuese, janë 218 banesa të përmbytura. Situata është e vështirë në Fushë Krujë, Vorë, Plepa. Pritet që situata të vështirësohet në banesat që janë pranë lumenjve.
Kemi pasur koordinim të mirë, jemi të gjithë në terren. Absolutisht edhe bashkitë edhe ministritë janë në terren, i gjithë shteti është në këmbë. Për momentin kemi 3 mijë efektivë në gatishmëri, 500 janë angazhuar, të gjitha mjetet që kemi, janë në dispozicion të operacioneve.
Mjekët janë në gatishmëri. Në Valias u evakuuan 13 persona, 5 ishin fëmijë, tani janë akomoduar. Kemi një situatë te City Park, janë të bllokuar disa banorë, situata paraqitet problematike. Fatmirësisht sapo marrim informacion shumë shpejt do e zgjidhim situatën.
Jemi të gjithë në terren. Jam e shqetësuar për dy zona, në Vorë dhe në Kamëz, kryetarët e bashkive nuk i janë përgjigjur apelit për të qenë krah nesh për strukturën e ngritur. Pavarësisht se i kemi kontaktuar, u kemi shkuar edhe me polici për të komunikuar, por nuk kanë denjuar”, tha Xhaçka për Report TV.



