
Kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeon, synon të mbajë një "referendum ligjor" për pavarësinë nga Britania e Madhe. Referendumi do të ndodhë nëse Sturgeon fiton zgjedhjet skoceze, që janë planifikuar për në maj.
Një veprim i tillë do ta vinte Sturgeon në konflikt me kryeministrin Boris Johnson, i cili e kundërshton një votim të ri për shkëputjen, raporton AP.
Skocia votoi për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar me 55% me 45% në referendumin e vitit 2014.
Një referendum i ri detyrues kërkon miratimin e qeverisë britanike dhe Johnson këmbëngul se ai do të thotë jo.
Sturgeon pretendon Brexit e ndryshoi situatën duke e nxjerrë Skocinë nga Bashkimi Evropian kundër vullnetit të qytetarëve të asaj pjese të Mbretërisë së Bashkuar.
Një shumicë e ngushtë e votuesve në Britani vendosi të largohej nga BE në referendumin e 2016-s, por në Skoci shumica votoi për të qëndruar.
Sturgeon thotë se Partia e saj Kombëtare Skoceze do të kandidojë në zgjedhjet e majit "për të kërkuar autoritetin e popullit skocez" për një referendum të ri.
Partia e Sturgeon njoftoi se nëse fiton shumicën në Parlamentin Skocez në maj, do të miratojë një ligj që do të lejojë referendum të ri pas përfundimit të pandemisë së koronavirusit.
Nëse qeveria e Johnson refuzon të pajtohet, çështja mund të përfundojë në gjykatë.



