
Rumania ka rrëzuar për herë të parë një dron në territorin e saj që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Lajmin e bëri të ditur presidenti i vendit, Nicușor Dan, duke sqaruar se incidenti ndodhi të premten, rreth 100 kilometra larg Bukureshtit.
"Droni u rrëzua pak minuta më parë, rreth orës 11:00, nga një pilot rumun që drejtonte një avion luftarak F-16. Ekipet kompetente po hetojnë ngjarjen për të zbardhur të gjitha detajet", deklaroi presidenti para mediave.
Sipas tij, ushtria rumune vendosi ta neutralizojë dronin pasi ai u identifikua mbi një zonë të pabanuar, duke shmangur çdo rrezik për civilët.
Sipas Ministrisë rumune të Mbrojtjes, radarët e vendit zbuluan dronin, ndërsa fillimisht u ngritën në fluturim avionë luftarakë italianë të dislokuar në kuadër të NATO-s dhe më pas avionë rumunë, të cilët ndërhynë për rrëzimin e tij.
Hyrjet e dronëve në hapësirën ajrore të Rumanisë janë bërë të shpeshta në zonën e Detit të Zi dhe pranë kufirit me Ukrainën.
Bukureshti dhe Bashkimi Evropian kanë akuzuar vazhdimisht Rusinë si përgjegjëse për këto incidente të sigurisë, por kjo është hera e parë që autoritetet rumune rrëzojnë një dron në territorin e tyre.



