
Flamuj ukrainas të djegur, tekste shkollore të shkatërruara, mbishkrime nga autorë ukrainas apo ikona kulturore të zhdukura, por edhe punime të vogla nga shkolla fillore të varura në muret e shkollave të grisura, shoqëruar me detyrimin për të mos folur në gjuhën ukrainase.
Këto janë veprimet sistematike që janë zbatuar nga rusët në territoret e okupuara të Ukrainës, sipas ankesave të disa mësuesve.
Qëllimi i tyre ishte ai i zbatimit të një asimilimi të detyruar, me zhdukjen e çdo shkrimi për kulturën ukrainase.
Kjo u zbulua nga mësuesit ukrainas të shkollave të qyteteve të pushtuara më parë, pas tërheqjes së rusëve dhe avancimit të trupave të Kievit drejt lindjes së vendit.
Sipas tregimeve të tyre të mbledhura nga të dërguarit e BBC-së, mësuesit dhe profesorët ishin vënë në shënjestër sistematikisht nga okupatorët rusë.
Bëhet fjalë për qytetet e Balakliya dhe Vovchansk ku mësuesit janë përballur deri në tortura të vërteta nëse refuzonin të jepnin mësim në rusisht për nxënësit.
Në fillim të semestrit shkollor, na u tha se duhet t’u mësojmë nxënësve tanë se Ukraina ishte territor i Rusisë.
Kështu tha Inna Mandryka, zëvendësdrejtore e shkollës Balakliya Five, e cila më pas u hoq nga puna sepse nuk pranoi të bashkëpunonte.
Drejtoresha Liliya Sirous deklaroi se asaj iu dha një listë me mbi 2200 libra shkollorë për t’u shkatërruar, por mbi të gjitha një program i ri shkollor i historisë, letërsisë dhe gjuhës ruse për t’u ndjekur gjatë mësimeve në klasë.
Të njëjtat skena janë përjetuar edhe në një shkollë tjetër në veri të Balakliya, në fshatin Ivanivka. Mësuesit ishin kërcënuar me armë në dorë, por edhe arrestuar dhe torturuar.
“U përpoqën të më detyronin të mësoja tekstin e himnit rus, por unë refuzova”, zbuloi një mësuese, duke thënë se ajo ishte rrahur dhe e detyruar të gjunjëzohej teksa i kishin vendosur thes në kokë.
Sipas autoriteteve ukrainase, presioni dhe kërcënimet kishin arritur edhe te prindërit e fëmijëve që nuk i dërgonin fëmijët e tyre në shkollë me paralajmërimin se do të dërgoheshin në jetimore.



