
Kim Kardashian dhe një klub futbolli në Mbretërinë e Bashkuar kanë ndihmuar anëtarët e ekipit të futbollit të femrave në Afganistan duke i zbarkuar në mënyrë të sigurtë në Britani ku do të fillojnë një jetë të re.
Një aeroplan me më shumë se 30 lojtare adoleshentë dhe familjet e tyre, rreth 130 persona gjithsej, u ul në aeroportin Stansted pranë Londrës.
Britania dhe vende të tjera evakuuan mijëra afganë përmes transportit të shpejtë ajror, pasi Kabuli ra në duart e militantëve talebanë në gusht.
Sipas agjencive britanike të lajmeve ata u evakuuan në Mbretërinë e Bashkuar me një fluturim të financuar nga Kim Kardashian.
Ndër të tjera, futbollistet e reja morën mbështetje nga klubi i futbollit Leeds United, pronari i të cilit, Andrea Radrizzani, përmes një deklarate tha se ishte “i kënaqur” me ardhjen e tyre në Britaninë e Madhe.
Leeds United ishte ofruar të mirëpresë lojtaret në ekipet e të rinjve për t'u dhënë këtyre vajzave një "të ardhme të begatë".



