
Një 24-vjeçare ka përfunduar në prangat e Policisë së Shtetit në kuadër të një operacioni të koduar “Kameleonët 2”, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Policia bën me dije se ata kishin ngritur një skemë mashtrimi kompjuterik për përfitimin e shumave të ndryshme monetare nga të gjithë shtetasit shqiptarë, të cilët kontribuonin për të ndihmuar fëmijë me probleme shëndetësore.
Në pranga përfundoi A. H., 24 vjeçe, banuese në Tiranë, ndërsa u shpallën në kërkim shtetasit me iniciale A. M., 34 vjeç dhe S. N., 37 vjeç, të dy banues në kryeqytet.
Për disa muaj, ata kishin krijuar profile të rreme në rrjetet sociale duke kërkuar donacione për fëmijë me probleme shëndetësore apo në gjendje të vështirë ekonomike.
Një ditë më parë, policia arrestoi 6 persona në Pogradec po në kuadër të këtij operacioni, të akuzuar për skemë mashtrimit kompjuterik.
Sipas policisë, këta persona vendosnin në dispozicion të shtetasve të interesuar, llogari bankare apo të dhëna shtetasish të cilët do të ishin përfitues të donacioneve, duke i tërhequr ato në institucione të ndryshme financiare.
Tërheqja bëhej nëpërmjet profileve të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme, por dhe dhënies së të dhënave të rreme për dërgimin e donacioneve, me qëllim që të mos gjendeshin në rast se organet ligjzbatuese do të viheshin në dijeni të këtij aktiviteti kriminal.



