Udhëheqësi kinez Xi Jinping do të vizitojë Rusinë javën e ardhshme me ftesë të presidentit rus Vladimir Putin, njoftoi të premten Ministria e Jashtme kineze.
Kjo do të jetë vizita e parë e Xi në Moskë që nga pushtimi rus i Ukrainës më shumë se një vit më parë.
Gjatë vizitës, Xi dhe Putin do të diskutojnë "bashkëpunimin strategjik" midis dy vendeve, sipas Kremlinit.
“Gjatë bisedimeve do të diskutohen çështje aktuale të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të partneritetit gjithëpërfshirës dhe bashkëpunimit strategjik midis Rusisë dhe Kinës”, tha Kremlini në një deklaratë të premten.
“Është planifikuar edhe një shkëmbim pikëpamjesh në kuadër të thellimit të bashkëpunimit ruso-kinez në arenën ndërkombëtare”, shtoi Kremlini. “Do të nënshkruhen një sërë dokumentesh të rëndësishme dypalëshe.
Vizita vjen ndërsa Kina përpiqet të prezantohet si një ndërmjetës neutral i paqes në Ukrainë, por kjo përpjekje është pritur me skepticizëm në kryeqytetet perëndimore për shkak të partneritetit në rritje të Pekinit me Moskën.



