Emisioni “Rrëfimi Juaj” solli sot historinë e Bida Beshirit, e lindur në Tiranë në vitin 1942 nga një familje autoktone tiranse, ku asnjëherë s’do të njihte të atin. Ai do të ndahej nga jeta kur ajo ishte foshnjë, për shkak të një sëmundje të pashërushme. Për shkak se nuk kishte mundësi të kujdesej, nëna do ta dërgonte Bidën në moshën 3 vjeç e gjysmë në Shtëpinë e Fëmijës në Tiranë, duke shkëputur kontaktet me të miturën. Bida do të përballej në Shtëpinë e Fëmijës me padrejtësi, vuajtje dhe madje tortura. Edhe pse sot ajo është 81-vjeçare nuk mund ta harrojë një episode ku pasi këputi një lule u rra në formë brutale, dhe u dënua të qëndronte gjithë natën në tualet, kur ishte vetëm 6 vjeç. Pas kryeqytetit Bida do të shkonte në shtëpinë e fëmijës në Shkodër, “Persa Grabova”, ku do të dilte në pah talenti i saj në muzikë. Në Shkodër do të spikaste për zërin e saj brilant, ku shumë kompozitorë dhe regjisorë të Teatrit Migjeni do ta angazhonin me shfaqje të shumta. Pas përfundimit të arsimit 7-vjeçar ajo do të dërgohej në Elbasan, ku ndoqi Pedagogjiken. Drejtori i shkollës Vasil Kamami pasi u njoh me historinë e saj do të kujdesej për të si për fëmijën e tij. Një fakt për t’u theksuar është njohja me nënën e saj pas 17 vitesh, që do të ndodhte krejt rastësisht në një kamp veror në Durrës. Bida nuk pranoi që ta takonte nënën deri në momentin që u bë vet nëna dhe shkoi ta takonte të ëmën dhe familjen e saj. Ajo njohu edhe dy vëllezërit, prej martesës së dytë të nënës. Duke rrëfyer këtë moment Bida thotë: “Ajo më pyeti nga jeni, i thashë nga Elbasani. Më pyeti si e ke emrin, i thashë Bida Beshirit. Ajo menjëherë u pezmatua si gjysmë të fikëti. Drejtori pyeti: U zutë? Ajo tha: Mos i flisni se është gjynah. Unë shtanga. Ishin pa kursim lotët e mi. Ajo u ngrit me vrap iku dhe pas dy orësh mund të kenë ardhur 30 vetë, nëna ime e para, njerëzit e tjerë mbrapa. Drejtori më tha: Ajo është nëna jote. Të lutem drejtor i thashë, unë nuk nënë. Nuk kam thënë ndonjëherë nënë! Ka qenë momenti më i tmerrshëm i jetës sime. Nuk e takova nënën. Pas tre katër vjetësh u martova. Nëna ime dhe njerëzit e mi i shkruanin letra Ministrisë së Arsimit që të shkoja në Durrës ku ishin ato. Unë nuk pranoja. Pasi u martova dhe linda fëmijë atëherë u afrova me nënën time, sepse u bëra nënë vetë”. Për shkak të zërit të saj brilant, regjisori Lec Shllaku do t’i besonte rolin kryesor në veprën e tij më të rëndësishme, “Vajza me Portokalle”. Një sekuencë e cila nuk do të shkëputej kurrë nga kujtesa e Bidës është se në mbrëmjen kur ishte i pranishëm Enver Hoxha, djali i aktorit kryesor ndërroi jetë. Trupa artistike mori vendimin që mos ta njoftonte, pasi mund të shkatërrohej shfaqja ku spektator ishte Enver Hoxha. Bida u njoftua rastësisht dhe interpretimi i saj iu dedikua djalit të ndjerë të aktorit, pasi lotët që rridhnin prej syve të saj nuk ishin për veprën por për vet aktorin kryesor. Pas këtij interpretimi spektatorët me vet Enver Hoxhën duartrokitën pa ndërprerje 10 minuta. Hoxha do të kërkonte që Bida të ndiqte studimet e larta në Akademinë e Arteve. Por tashmë ajo kishte krijuar familjen e saj të re dhe ishte shtatzënë, një familje që gjithmonë e kishte ëndërruar, dhe kështu refuzoi ofertën që mbase do t’i ndryshonte jetën. Jeta me bashkëshortin e saj Spiro Janko do të ishin vitet më të bukura të jetës së saj, ku Bida solli në jetë 4 vajza. Ajo u dha atyre kujdesin që ëndërronte të kishte nga nëna që e braktisi. Mandej, Bida Beshiri Janko do të punonte si arsimtare në shkollën “Vasil Kamami”, ku ende edhe sot nxënësit e kujtojnë plot nostalgji.



