Gjatë një takimi me sipërmarrësit, kryeministri Rama paralajmëroi një ristrukturim radikal të inspektorateve, të cilat i quajti banda që lëshohen në emër të mbrojtjes së mjedisit e kullotave duke marrë vetëm lekë.
“Çdo njeriu që merr një kazmë për të punuar i shkojnë dhe i gjejnë 100 pretekste për gjoba. Këta duhet t’i largohen nga qafa popullit shqiptar”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se jashtë sistemit do të nxirren edhe sekserët që ndërmjetësojnë mes sipërmarrësve dhe shtetit.
“Zhabulanët që medemek ndërmjetësojnë proceset mes sipërmarrësve dhe shtetit. Një tufë sekserësh të zyrtarizuar që shëmtojnë pamjen le më të tjerat, në portin e Durrësit sidomos”, tha ai.
Për kryeministrin, të tillë parazitë ka plot në administratë dhe kompanitë duhet të sinjalizojnë në lidhje me ta.
“Ju jeni të parët që e dini sa grabitqarë dhe parazitë ka në administratën shqiptare. Besoj se ju jeni të gatshëm që t’i luftojmë së bashku. Është e mundur që qeveria t’i luftojë edhe pa ju, por do të ketë akoma shumë plagë. Ajo që unë do të doja të thoja sinqerisht është që ju të na vini në provë dhe ta vini në provë këtë urë të re komunikimi mes jush dhe qeverisë që është ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. Kjo ministri ka këtë emër për t’ju mbrojtur nga qeveria”, tha ai.



