Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako del sot para Gjykatës së Posaçme. Seanca do të zhvillohet në orën 10:00 dhe Dako do të njihet me masën e sigurisë.
Aktualisht Vangjush Dako po mbahet te Blloku i Sigurisë në rrugën "Mine Peza", ndërsa avokati i tij Petrit Ismaili, e ka cilësuar si të panevojshëm arrestin me burg, duke thënë se SPAK po përballet me një trysni nga ana e mediave dhe e ndërkombëtarëve.
Vangjush Dako dhe ish bashkëpunëtorët e tij në bashki akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh në dy raste.
Bëhet fjalë për një pallat që u nis 7 kate në 2010 dhe përfundoi 11 kate në 2014 dhe u dëmtua nga tërmeti në 2019. Rasti i dytë ka të bëjë me një tender të datës 25 mars 2014 për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”.



