
Dua t’i rikthehem edhe një herë gjestit të gjunjëzimit të sportistëve. Në fakt, të disa sportistëve, i cili është një gjest politik. Kush e ka ndjekur historikun e këtij gjesti e ka kuptuar se ky është një gjest politik. Ka qenë i tillë qysh në krye të herës dhe i tillë është edhe sot. Ta thuash këtë gjë nuk është racizëm. Të jesh kundër këtij gjesti nuk do të thotë që je racist. Njerëzit që e thonë këtë gjë nuk janë racistë. Priti Patel, ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe, ka thënë pak a shumë të njëjtën gjë. Ajo bëri një apel për futbollistët e kombëtares angleze, ku iu tha: “Ju lutem, mos bini pre e lojërave politike. Gjunjëzimi përpara ndeshjeve është një lojë politike. Është një gjest përçarës e politik.” Në fakt, në atë moment, askush nuk e akuzoi Priti Patel për racizëm për këtë deklaratë. Por sot, të gjithë janë duke e treguar atë me gisht si një raciste. Çfarë ka ndodhur?
Në finalen e Kampionatit Europian, midis Italisë dhe Anglisë, skuadra angleze humbi. Këta të fundit nuk ia dolën ta çonin futbollin në shtëpi ashtu siç kënduan gjatë gjithë javëve të kampionatit. Ata e humbën finalen sepse tre futbollistë të kësaj skuadre, që të tre me ngjyrë, nuk ia dolën të shënonin nga pika e bardhë e njëmbëdhjetë-metërshit. Ata humbën penalltitë. Dhe me këtë zemëruan një popull të tërë. Anglezët u zemëruan me të vërtetë. Një pjesë e tyre, madje, treguan edhe se ishin racistë. U aktivizuan disa vatra racizmi në shoqërinë angleze (e më gjerë, në shoqërinë britanike), e cila është një nga shoqëritë më pak raciste në botë. Por vetë shoqëria, pjesa tjetër e saj, reagoi në mënyrën e duhur. Ata u ranë borive të alarmit dhe kjo është gjëja e duhur për t’u bërë në rrethana të tilla. Pavarësisht, se është një pakicë ajo që demonstron sjellje raciste, shoqëria duhet të jetë në këmbë, sepse e keqja duhet mbytur që në vezë.
Reagimi i shoqërisë britanike, e posaçërisht asaj angleze, më ka pëlqyer në mënyrë të veçantë. Kanë reaguar të gjithë aktorët publikë të këtyre shoqërive. Kanë reaguar edhe biznesmenët, të cilët kanë hequr nga puna njerëz me qëndrime raciste nëpër rrjetet sociale. Janë aktivizuar edhe gazetarët, media, politikanët, policia, sistemi gjyqësor. Pikërisht sot janë arrestuar disa njerëz të cilët kanë demonstruar qëndrime raciste. Përveç kësaj, politikanët janë shprehur që të gjithë në kor kundër tyre. Priti Patel ka qenë e para që reagoi. Ajo u shpreh se këto sjellje janë raciste, janë një turp. Reagoi edhe kryeministri i Britanisë së Madhe. Me stilin e tij plot ngjyra, ai iu drejtua këtyre njerëzve duke iu bërë thirrje të kthehen në guvat ku ata kanë ndërtuar jetën e tyre, sepse nuk ka kuptim që të jenë pjesë e shoqërisë angleze. Ka reaguar edhe Princi William, Duka i Kembrixhit. Përsëris, reagimi i shoqërisë angleze ishte një reagim që mua personalisht më ka emocionuar. Është një nga ato rrethana ku prirem të fantazoj se sa bukur do të ishte nëse do të ishim pjesë e një shoqërie të tillë, me antikorpe të tilla, kaq të forta, e një shoqërie që reagon menjëherë, në mënyrë të fuqishme, në mënyrë korale.
Para dy ditësh, u mbajt një manifestim i fuqishëm, i cili demonstron këtë që unë sapo thashë. Disa qindra njerëz, ndoshta më shumë, u mblodhën te një murale, që i dedikohej njërit prej lojtarëve me ngjyrë që humbi penalltinë, Marcus Rashford. Ajo murale, pas ndeshjes, ishte bërë pre e vandalizmit. Disa njerëz me qëndrime raciste e kishin shkarravitur me mesazhe raciste. Këta qindra njerëz që shkuan aty bënë të kundërtën. Ata i mbuluan frazat raciste dhe në vend të tyre shkruan fraza të tjera, të cilat përcillnin mesazhin e solidaritetit me të gjithë viktimat e racizmit. Ishte një gjest i bukur. E vetmja gjë e pakëndshme e këtij demonstrimi, ishin disa zëra që filluan të quanin Priti Patel-in raciste. Filluan të ngatërronin racizmin me ata njerëz të cilët janë kundër gjunjëzimit të lojtarëve nëpër aktivitete sportive. Pjesë e këtij komuniteti është edhe Priti Patel. Prej ditësh, ajo është kthyer në objektivin e këtyre sulmeve. Më vjen çudi që janë të paktë ata që e mbrojnë. Madje ka njerëz, pjesë e partisë ku ajo bën pjesë, që po e kritikojnë. Dikush u dëgjua të thoshte se ka ardhur koha që gjunjëzimi të normohet, të bëhet pjesë e moralit publik. Është e çuditshme se si këtij konservatori nuk i shkon në mendje se në këtë mënyrë po bën lojën e udhëheqësve të organizatës “Black Lives Matter”.
Këto kohët e fundit, në Perëndim po ndodh shpesh që përjashtimet të kthehen në rregull. Po ndodh shpesh që tolerantët të tërhiqen përballë intolerantëve. Po ndodh shpesh që pakicat të llastohen, dhe mes këtyre pakicave po ndodh shpesh të mungojë respekti për disa vlera, si për shembull për lirinë e shprehjes, një nga vlerat më të rëndësishme të qytetërimit perëndimor. Po ndodh ca si shpesh që dhuna të fitojë kundër logjikës, që forca të fitojë kundër arsyes, që njerëzit e urtë të kësaj bote t’i humbasin të gjitha betejat publike. Po ndodh ca shpesh, që një pjesë sportistësh mendojnë se kanë role mesianike, dhe kanë filluar të japin mesazhe jo sportive në shfaqjet e tyre sportive. Ata po shfrytëzojnë platformat publike dhe ndikimin e tyre (që nuk e kanë të pakët, fal meritave të tyre sportive) për të bërë lojëra politike, të cilat, unë kam përshtypjen se me shumë gjasë, ata nuk i kuptojnë. Por edhe sikur t’i kuptonin, ata nuk do të duhej t’i bënin këto lojëra politike. Sidomos në mjediset sportive ku njerëzit shkojnë për t’u argëtuar dhe jo për t’u bombarduar me mesazhe politike, që për më tepër, dalin nga goja e futbollistëve. Unë mendoj se këtyre njerëzve iu duhet ndaluar me ligj jo angazhimi politik, por përcjellja e mesazheve jo sportive në mjediset sportive ku njerëzit shkojnë për t’u argëtuar. Atje sportistët duhet të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë, atë gjë për të cilën ata marrin edhe rroga të çmendura. Dhe kur vjen puna te rrogat e çmendura, këto rroga i marrin si njerëzit e bardhë edhe ata me ngjyrë.



