
Karantina është një nga metodat më të vjetra të luftimit të sëmundjeve infektive, aq sa përmendet edhe në Testamentin e Vjetër, shumë kohë para se të njihej origjina e patologjive. Në një kohë kur praktika po përdoret në të gjithë botën për shkak të koronavirusit, Leslie S. Leighton, historian i Universitetit të Xhorxhias, kujton se republika e Venecias ishte e para që kodifikoi izolimin e detyruar.
Sëmundja e parë për të cilën u përdor karantina, thotë artikulli në “The Conversation”, është lebra, të cilës i referohen fragmente të ndryshme të Biblës. Gjithashtu, edhe në Greqinë e lashtë, kjo metodë është përdorur kundër patologjive që kishin tendencën të përhapeshin. Praktika u përdor gjatë Mesjetës, por me epideminë e murtajës të shekullit XIV, e cila vrau midis 40 dhe 50 milionë evropianë, kemi konsolidimin e karantinës si forma parandaluese e përhapjes së sëmundjes. Pikërisht në këtë kohë e ka origjinën edhe emri karantinë, që rrjedh nga gjuhët latine për periudhën prej 40 ditësh (që në fillim ishin 30) që anijet duhej të prisnin para se të hynin në portin e Raguzës, Dubrovniku i sotëm.
Në shekujt që pasuan, izolimi u përdor për të luftuar sëmundje të ndryshme, nga verdhëza deri te kolera.
Në Amerikën koloniale, rasti i parë daton që nga 1663 në Neë York, në përpjekje për të ndaluar një shpërthim të lisë. Në vitin 1730, një ishull i tërë, Bedloe, u kthye në karantinë.
Një rast që u bë i famshëm në Shtetet e Bashkuara është ai i Mary Mellon, e cila më vonë u bë e njohur si 'Mary Tiphoid', një kuzhiniere bartëse e etheve të tifos, që në fillim të viteve 1900 kishte infektuar familjen ku punonte. Pas një karantine gati trevjeçare, gruaja u la e lirë me premtimin, që më pas u shkel, se nuk do të gatuante më kurrë për askënd. Vitet e fundit, vëren eksperti, karantina është përdorur për disa epidemi, nga gripi tek SARS-it dhe Ebola. Megjithatë, karantina që është aktualisht në funksion për koronavirusin mund të konsiderohet si një ndër më të mëdhatë e epokës moderne. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



