Deputeti i partisë “Mundësia” Erald Kapri mendon që Rama dhe Berisha kanë një marrëveshje për ndryshime të thella kushtetuese me qëllim që të marrin garanci juridike ekstra ligjore që të mos preken nga drejtësia. Sipas Kaprit Senati dhe ulja e numrit të deputetëve është vetëm një alibi. Deputeti thotë se mund të vendoset në Kushtetutë që Presidenti në detyrë s'mund të ndiqet penalisht.
“Në momentin që ti ndryshon mënyrën e funksionimit të Parlamentit, do kesh dy dhoma, ku do raportojë SPAK-u në Dhomën e Ulët apo…Po ndërhyre në Kushtetutë do ndryshosh edhe nenet për drejtësinë. Senati është alibia. Ju duhet të ndryshojnë arkitekturën e shtetit që të kapin drejtësinë. Ndryshimi i Parlamentit do të thotë që krijon në Republikë nga e para. Lajmi është që Berisha dhe Rama kanë një marrëveshje për ndryshimin e kushtetutës si në 2008 por kësaj radhe edhe më thellë, është një ndryshim për t’u dhënë garanci juridike ekstra ligjore, për të mos u prekur nga drejtësia. Bëhet fjalë për të kapur SPAK-un. Nuk mendoj që është i kapur. Nëse SPAK-u s’shkon deri te Rama s’ka drejtësi. Mund të vendosin në Kushtetutë imunitet ekstra, që Presidenti s'mund të preket sa është në detyrë. Ligji shqiptar do të thotë që nëse kalojnë 10 vjet nuk mund të ndiqesh, dhe Rama fiton kohë ekstra. Edhe një senator, që mund të jetë Berisha fjala vjen, mund të marrë imunitet ekstra ligjor”.



