Të tjera detaje kanë dalë lidhur me vrasjen e 25-vjeçarit Klodjan Rasha nga efektivi i Policisë së Tiranës. Sipas burimeve, mësohet se ndaj Rashës është qëlluar dy herë nga ana e efektivit të policisë. Një plumb mësohet se e ka prekur në shpatull dhe një në kokë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak pas mesnatës të së henës, ku pas disa lëvizjeve të dyshimta, Policia i ka bërë thirrje Klodjan Rashës që të ndalonte. Por, ky i fundit sipas policisë, ka nxjerrë një armë zjarri tip pistoletë duke ia drejtuar policit N.H., që po e ndiqte. Ky i fundit ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar në drejtim të të riut, ndërsa policia thekson se veprimet janë kryer në mungesë të ndriçimit të zonën ku ndodhi ngjarja.
Gjithashtu, mësohet se 25-vjeçari ishte banues në zonën e Laprakës, ndërsa u vra disa metra larg banesës së tij. Fqinjët por edhe të afërm, e kanë përshkruar atë si një njeri të qetë dhe se nuk krijonte konflikte në zonë. 25-vjeçari thanë ata, ishte i papunë.
Ndërkohë, kujtojmë që Klodjan Rasha rezulton me precedent të mëparshëm penal, ndërsa mbrëmjen e djeshme lëvizte i armatosur.

(Viktima Klodjan Rasha)



